Në Bruksel u mbajt takimi i parë i Konferencës së Anëtarësimit me Malin e Zi dhe brenda ditës u negociua me Bashkimin Europian kapitulli 26, për edukimin dhe kulturën.
Përmes programeve të ndryshme synohet përkrahja e shumëllojshmërisë kulturore dhe nxiten çdo vit qytetarë për të punuar e mësuar jashtë vendit.
“BE konsideroi se sidomos provat për të mbyllur përkohësisht këtë kapitull nuk ishin të nevojshme, nisur nga niveli i mirë në përgjithësi i përgatitjes së shtetit malazez. Por kërkohet forcimi i kapaciteteve administrative për zbatimin dhe menaxhimin e programeve të BE-së në këtë fushë”, thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit.
Ndërsa Presidenca Irlandeze thotë se pret të shohë vazhdimin e së njëjtës punë, veçanërisht për kapitujt e të drejtave themelore dhe gjyqësorit, si dhe për drejtësinë, liritë e sigurinë.
“Mali i Zi ka punë të rëndësishme për të bërë në trajtimin e çështjeve për sundimin e ligjit në vend,” ka thënë ambasadori Rory Montgomery.
Podgorica ka mbyllur përkohësisht 2 nga 35 kapituj që negociohen në tërësi me BE-në. Së pari u negociua kapitulli 25 për shkencën dhe kërkimet më 18 dhjetor 2012, 6 muaj pas çeljes formale të bisëdimeve për anëtarësim. Konferenca e radhës e Anëtarësimit me Malin e Zi pritet të mbahet në nivel ministrash në qershor.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel