Një urë e re mes qytetit amerikan të Detroitit dhe Uindsorit, në Ontario të Kanadasë, do të ndërtohet pavarësisht protestave të pronarit të urës së vjetër, që lidh prej vitesh dy vendet.
Guvernatori i Miçiganit dhe autoritetet kanadeze njoftuan projektin prej 2.2 miliardë dollarësh të premten në Detroit.
Ura ekzistuese 84-vjeçare, e njohur ndryshe si Ura e Ambasadorit, është aksi më i rënduar tregtar mes dy vendeve. Pronari i saj ka luftuar kundër ndërtimit të urës së re.
Guvernatori i Miçiganit, Rick Snyder celebroi projektin në një eveniment të mbajtur të premten në Detroit, duke e cilësuar atë si “një projekt nga i cili do të fitojnë të gjithë”.
“Për mua kjo nuk është vetëm një urë. Është një projekt për vende të reja pune”, tha Snyder, duke shtuar se ndërtimi do të krijojë 12 mijë vende pune direkte dhe rreth 31 mijë të tjera indirekte.
Pronari i Urës së Ambasadorit, Manuel Moroun, i cili pretendon se ndërtimi do t’i ulë të ardhurat, e ka paditur projektin duke argumentuar se kompania e tij ka të drejtat ekskluzive për lidhjen e kufijve në zonë.
Ai gjithashtu kishte mbështetur përpjekjet për miratimin e një amendamenti në Kushtetutën e Miçiganit, që kërkon një votim në mbarë shtetin për çdo rrugë të re kufitare, por që dështoi nëntorin e kaluar.
Top Channel