Polonia pritet të zbulojë një statujë gjigantë të Papa Gjon Palit të dytë, e cila është më e larta e bërë ndonjëherë për ish-Papën, anembanë në botë.
Me peshë totale prej 5 tonësh, statuja e bërë me fibra të qelqta prej 13,8 metrash, shfaq Papën duke qëndruar me krahë të hapura. Ajo do të qëndrojë në një kodër mbi qytetin e Czestochowa, në jug të Polonisë.
Qyteti Czestochowa është baza e vendit më të rëndësishëm të peligrinazhit në Poloni, manastirit Jasna Gora, dhe ikonës së saj, “Black Madonna”, e virgjëreshës Mari.
Një kor, një kryepeshkop dhe një aktor, të cilët do të lexojnë tekste të përzgjedhura të shkruara nga ish-Papa polak, priten të jenë pjesë e ceremonisë së zbulimit gjatë ditës së shtunë.
I ndërtuar rreth një kornize çeliku, statuja është krijuar nga një kompani që prodhon statuja me fibra qelqi, siç janë ato të dinozaurëve, që janë shfaqur në parqe tematike.
Financuesi i këtij projekti, Leszek Lyson, tha se dëshironte të falënderonte Gjon Palin e Dytë, për jetën e të birit, të cilin Lyson e shpëtoi nga mbytja, gjatë një feste familjare në Kroaci, 3 vite më parë.
Polonia është një nga vendet më katolike (romane) në Europë, por statuja nuk ka fituar duartrokitjet ndërkombëtare. Një fushatë protestash ka nisur në rrjetin social Facebook, sepse Papa i kishte kthyer shpinën qytetit.
Ndërsa shoqata e arkitektëve të Czestochowa-s ka bërë të ditur se struktura me fibra të qelqta nuk ka kualitet.
I lindur me emrin Karol Wojtyla në Wadowice, kryepeshkopi 58-vjeçar i Krakovës u zgjodh Papë në 1978-n, duke çuditur botën katolike.
Ai ishte Papa i parë jo-italian në më shumë se 450 vjet, por u bë një nga fytyrat më familjare në botë, duke vizituar më shumë se 120 shtete në papatin e tij 27-vjeçar, duke i dhënë atij një reputacion të madh si një luftëtar ndërkombëtar të lirisë.
Ai ndërroi jetë në moshën 84-vjeçare, në vitin 2005, pas një sëmundje të gjatë. Ai u lumturua (hapi i parafundit përpara shenjtërimit) në vitin 2011.
Top Channel