Neruda, mbetjet do ekzaminohen në SHBA

13/04/2013 00:00

Familja e poetit kilien fitues të Çmimit Nobël, Pablo Neruda, ka rënë
dakord për të dërguar mbetjet e tij në një laborator në Shtetet e
Bashkuara për ekzaminime toksikologjike.

Trupi i tij u zhvarros ditën e hënë nga autoritetet kiliene, me qëllim zbardhjen e motiveve të vdekjes së tij, që dyshohet se ka ardhur nga helmimi.

Neruda vdiq 40 vjet më parë, pak pas grushtit të shtetit që çoi në pushtet gjeneralin Augusto Pinochet. Në atë kohë vdekja e tij iu atribua kancerit në prostat.

Vendimi i familjes vjen pasi nipi i shkrimtarit, Rodolfo Reyes, bashkë me një grup ndërkombëtar ekspertësh, identifikuan pjesë të rrobave të tij gjatë zhvarrimit.

Zoti Reyes, një avokat, tha për një radio lokale se mbetjet trupore të gjyshit të tij do të ekzaminohen tërësisht. “Ata do të marrin disa kampione në një laborator.

Do të jetë një ekzaminim teknik dhe ne duam që ata të kenë gjithë kohën e duhur për ta bërë këtë analizë, në mënyrë që të mos ketë më dyshime”, tha ai. Ndersa autoritetet thonë se testet do të bëhen në Karolinën e Veriut.

Poeti ishte një mik i afërt i presidentit të rrëzuar Salvador Allende. Ai vdiq në moshën 69 vjeçare, 12 ditë pas grushtit të shtetit të gjeneralit Pinochet.

Një bashkëpunëtor i afërt i poetit thotë se atij iu injektua një substancë helmuese me urdhër të Pinochet, por familja e tij deri më sot ka ruajtur pistën e vdekjes nga prostati.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA