Kolumbi, përplasje mes autoriteteve mbi FARC

13/04/2013 02:20

Prokurori i përgjithshëm i Kolumbisë ka bërë të ditur se anëtarët e grupit rebel të FARC mund t’i shpëtojnë burgimit, nëse do të arrihet një marrëveshje paqeje.

Eduardo Montealegre ka reaguar ndaj sugjerimeve të mëhershme se Kolumbia mund të bëhet një “shtet batakçi”, nëse një marrëveshje e mundshme do t’i lejojë rebelët të jenë të lirë.

Montealegre tha se asnjë prej aktivistëve të FARC nuk është gjetur ende fajtor për krime ndaj njerëzimit. Por, gjatë kësaj jave, mijëra njerëz marshuan në mbështetje të bisedimeve për paqe në Kubë.

Demonstratat e së mërkurës, erdhën pasi Montealegre njoftoi se urdhër-arrestet kundër 6 anëtarëve të FARC u pezulluan për shkak të negociatave.

Aktivistët thuhet se janë pjesë e ekipit negociator të FARC, i cili po merr pjesë në bisedime me qëllim për t’i dhënë fund dhunës 50-vjeçare.

Megjithatë, inspektori i përgjithshëm i Kolumbisë, Alejandro Ordonez, foli për “pandëshkueshmërinë”, duke shtuar se vendi mund të thyejë ligjet ndërkombëtare, nëse ndonjë marrëveshje e mundshme për paqe do të lejonte anëtarët e FARC të jetonin të lirë.

“Është e papranueshme që përgjegjësit për krime ndaj njerëzimit, përgjegjësit e luftës, gjenocidit dhe zhvendosjes së popullsisë nuk po kalojnë as edhe një ditë të vetme në burg”, tha ai për reporterët.

Gjithsesi, prokurori i përgjithshëm tha se pengmarrjet, rektrutimet e minorenëve si ushtarë dhe disa krime të tjera, për të cilat anëtarët e FARC janë gjetur fajtorë, njihen ndërkombëtarisht si krime ndaj të drejtave njerëzore, por jo si krime ndaj njerëzimit.

Ai shtoi se “drejtësia tranzicionale” nuk është e njëjtë me pandëshkueshmërinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA