Pas manifestimit të 23 marsit në Romë, Silvio Berlusconi thërriti edhe njëherë tjetër mbështetësit e tij në shesh, këtë herë në qytetin e Barit.
Në hapje të fjalës së tij, Berlusconi pasi falenderoi pjesëmarrësit lëshoi edhe një ultimatum, dukshëm kundrejt kreut të së majtës, Pier Luigi Bersani.
“Ju jeni lumi i lirisë dhe mendoj se nuk është e nevojshme të mbahet asnjë fjalim. Fjalimi më i bukur jeni ju”, tha Berlusconi duke shtuar më pas se “ose formohet një qeveri e fortë dhe e qendrueshme për Italinë menjëherë, ose shkohet sërish në zgjedhje në muajin qershor”.
Ish-kryeministri italian ka propozuar edhe më herët formimin e një koalicioni mes partisë së tij, PDL dhe PD-së së Bersanit për të tejkaluar ngërçin politik në të cilin është zhytur Italia pas zgjedhjeve të 24 dhe 25 shkurtit.
Sa për drejtësinë, ndaj se cilës Berlusconi ka nisur një fushatë për të luftuar atë që ai e quan “kanceri i demokracisë italiane”, Kavaljeri lëshoi sërish akuza të rënda.
Thirrja e Berlusconi-t mbërrin një ditë pasi bërjes publike të shtatë propozimeve të një grupi specialistësh të ngritur nga presidenti Napolitano. Mes këtyre propozimeve janë edhe dy që synojnë të reformojnë klasën politike italiane, i pari për ndryshimin e sistemit zgjedhor, nga proporcional në të përzier dhe i dyti shkrirjen e dy dhomave të parlamentit në një të vetme.
Top Channel