Veç për optimizëm opozitar nuk ka vend

12/04/2013 00:00

Mustafa Nano – Dy situata “opozitare” ma kanë tërhequr vëmendjen këto
ditë. Janë situata që kanë të bëjnë me një injeksion optimizmi pas
rikonvertimit politik të Metës. Së pari është një lloj optimizmi
opozitar, që u ngrit mbi bindjen se “procesi elektoral nuk është më nën
hyqmin e Berishës dhe të mashave të tij institucionale”.

Është një optimizëm, të cilin ndonjë koleg i imi që e uron një fitore të opozitës, më saktë një rënie të regjimit, është përpjekur ta denoncojë si naive e të parakohshme. Dhe është tamam kështu, një optimizëm naiv dhe i parakohshëm.

Po pse është menduar kjo gjë? Shumë e thjeshtë: Sepse me largimin e Metës e të LSI-së nga mazhoranca aktuale rritej kontrolli opozitar mbi zgjedhjet në tërësi, e prandaj rriteshin dhe shanset për zgjedhje ‘free and fair’. Sikur t’ia dilnim të bënim një palë zgjedhje të tilla, ky lajm do të vlente më shumë sesa rënia e Berishës. Madje, do të kishim të bënim me një lajm të gëzueshëm edhe në rrethanat që Berisha nuk do të binte. Do të merrnim vesh në këtë rast se shumica e shqiptarëve voton për të dhe pikë.

Ne kundërshtarët e kritikët e Berishës nuk jemi “torturuar” thjesht e vetëm nga ideja se Berisha është një politikan rrezikzi; jo, ne jemi “torturuar” mbi të gjitha nga ideja se, sikur të mos mjaftojë ky fakt, ai na i vjedh votat, gjithashtu, e kështu arrin të qëndrojë në pushtet edhe pse është pakicë në këtë vend. E nëse Berisha ia del të fitojë një palë zgjedhje të pakontestueshme (të tilla do të ishin sipas shumë gjasash këto, në rast se procesi elektoral nuk do lihej i tëri në dorë të tij; dhe kalimi i LSI-së në opozitë e krijoi fillimisht këtë premisë), atëherë do ish hera jonë të thoshim: “Ok, ne kemi besuar se Berisha është ‘i të gjitha të ligave’, kemi bërë ç’mos t’u mbushim mendjen shqiptarëve lidhur me këtë gjë, por shumica e këtyre të fundit paskan besim tek ai; tani është koha ta pranojmë si legjitim, s’ka gjë se ai ka bërë ato që ka bërë; kjo është demokracia (‘demokracia iliberale’, do ta quante Fareed Zakaria, dhe me këtë përcaktim ai ka në mendje ato regjime të korruptuara e autokratike që ngrihen e mbahen në këmbë me ndihmën e votave të shumicës)”.

Madje, do na duhej edhe të bënim një mea culpa për të tëra dyshimet që kemi hedhur mbi Berishën lidhur me vjedhjen e zgjedhjeve. E pas kësaj, do na duhej të vazhdonim të njëjtën betejë, madje me forcë më të madhe, kundër të njëjtit njeri “të të gjitha të ligave”, për të cilin nuk kemi asnjëherë arsye të ndryshojmë mendim. Shumica në favor të jep legjitimitet, por nuk ka pse të ketë efekt purifikues. Shumica nuk të shfajëson për mëkatet e kryera; aq më pak të shenjtëron.

Por Berisha nuk na la gjatë të jetonim me këtë ‘idil’. Ai po kërkon të rikuperojë shpejt e shpejt kontrollin mbi KQZ-në e mbi komisionet elektorale në terren; po synon ta bëjë këtë me një lëvizje të stilit të vet, duke shtënë në punë votat e deputetëve të mazhorancës sërish të improvizuar, dhe me një justifikim që i ka hije veç atij. “Në shekuj, parim themelor i funksionimit të shtetit ka qenë respektimi i marrëveshjeve mes palëve”, hodhi ai pardje xhevahirin e radhës. Po ligji? Ligji thotë se mandati i anëtarit të KQZ-së përfundon, kur (neni 18 i Kodit Zgjedhor) “1. Ai përfshihet në aktivitet politik; 2. Ai del në pension; 3. Ai vdes; 4. Ai jep dorëheqjen; 5. Ai shpallet fajtor për një krim nga shkalla e fundit e sistemit të drejtësisë; 6. Ai mungon pa asnjë arsye në dy mbledhje të KQZ-së njëra pas tjetrës ose, në periudha elektorale, mungon të paktën pesë ditë; 7. Ai, me veprimet apo mosveprimet e tij, vë në rrezik veprimtarinë e KQZ-së. Siç shihet nuk është parashikuar në ligj, ndoshta pa të drejtë, asnjë rrethanë si kjo e sotmja. Por Berisha nuk u mor fare me çfarë thotë ligji.

Do ia dalë ai ta rimarrë ‘pushtetin’ në KQZ? Sipas meje, po. Ai do ta çojë deri në fund këtë betejë, si të gjitha herët e tjera, duke injoruar të gjitha reagimet e mundshme që mund të lindin. Ai nuk mund ta lërë procesin elektoral jashtë kontrollit të tij, e me këtë bie shpresa naive se “largimi i LSI-së nga mazhoranca dhe kalimi i saj në opozitë krijon shanse by default për zgjedhje, le të themi, të pakontestueshme”.

Situata tjetër optimiste ngrihet mbi bindjen, se numrat flasin për një fitore të qartë e të sigurtë të opozitës, e prandaj në këto rrethana kur procesi elektoral i ka ikur nga duart Berishës (në fakt, u mor vesh se kjo nuk është e vërtetë), ne të gjithëve veç na duhet të presim 23 qershorin si datën, kur Berisha do të bjerë pa një pa dy. Eksponentë të PS-së apo të partive të tjera të opozitës, janë rezervuar ta shprehin këtë optimizëm, por votuesit e opozitës janë duke jetuar me fitoren qysh tani, e kanë “mprehur dhëmbët”.

Nuk ka gafë më të madhe se sa, për shkak ‘të një ere që fryn papritur në favorin tënd’ apo për shkak të aritmetikës së qartë elektorale (që dhe aq e qartë nuk është; nuk kuptohet pse votat e përbashkëta të PS-LSI-së i llogarisin si shumë aritmetike të votave të PS-së me ato të LSI-së), ta marrësh lehtë rrëzimin e një regjimi. Nuk ka për të qenë fare e lehtë. Berisha nuk ka pushtuar gjithçka ashtu kot, për sport, apo për inat të ndonjërit. Jo, pushtimi i gjithçkaje ka lidhje me projektin e tij për të sunduar përjetësisht në këtë vend. Një aleancë e fortë në kampin kundërshtar ia vështirëson punën e ia rrezikon seriozisht projektin e sundimit, por ai do të ecë në të vetën, dhe në këtë mes do t’i japë një dorë së pari ajo pjesë e medias që ai e ka pasur vazhdimisht pas vetes, së dyti, ajo pjesë e medias që ka qenë e është kritike ndaj tij, por që ende nuk është bindur nga alkimia e çuditshme opozitare, së treti diversikimi i aksionit opozitar (FRD-ja dhe AKZ-ja, sido që kundër regjimit, po bëhen gati të garojnë më vete), dhe së katërti, një lodhje e faktorit ndërkombëtar me punët në vendin e shqipeve, gjë që mund të pasohet me opinione përtace as mish, as peshk mbi “ngecje” apo mbi dështimin e procesit.

Shkurt, ata që duan rënien e regjimit duhet të kuptojnë se beteja nuk ka mbaruar. Ajo sapo ka filluar. Dhe do të jetë shumë më e vështirë sesa mendohet. Por jo më e vështirë sesa qeverisja e vendit pas 23 qershorit nga ana e opozitës së sotme. Koalicioni opozitar, për më shumë se një arsye, është më pak premtues kur vjen puna te qeverisja e vendit pas 23 qershorit sesa te rrëzimi i regjimit më 23 qershor. Por ky argument i fundit nuk mund të kalojë me një nënvizim. Duhet një shkrim më vete.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA