Konsorciumi nga Gjermania “Axos Capital Partners” dhe “Najafi Companies” me bazë në Amerikë ofruan çmimin më të lartë për blerjen e 75 përqind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Oferta financiare, e prezantuar këtë të premte, është 277 milionë euro. Gjatë prezantimit të ofertës u deklarua se nga kjo shumë zbriten 35 milionë euro. Zyrtarisht nuk jepen sqarime, se ku do të shkojnë 12.6% e shumës së ofruar.

Por, burime sqarojnë për Top Channel se, pikërisht 35 milionë euro, është shuma që kompania “Axos Capital Partners” i ka vënë kusht PTK-së, që t’i ketë në llogari në momentin e shitjes.

Oferta e dytë financiare, e kompanisë “M1 Internatonal”, pjesë e “M1 grup investitor” me bazë në Liban, ishte vetëm 150 milionë euro, ofertë e cila nuk përfshinte një zbritje si e para.

Vendimin për nënshkrimin e kontratës me konsorciumin, që ofroi çmimin më të lartë, pritet ta marrë kabineti qeveritar në njërën nga mbledhjet e qeverisë, pas rekomandimit të komisionit qeveritar për privatizimin e PTK-së.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik vlerësoi investimin e ri në Kosovë, sic tha ai, në një periudhe krize financiare, ndërsa theksoi se të gjithë punonjësit e PTK-së do t’i kenë kontratat e punës të garantuara për tri vitet e ardhshme. Aktualisht PTK-ja numëron rreth 2500 punëtorë.

Jo zyrtarisht, mësohet se të ardhurat e PTK-së kanë rënë këtë vit me 24 përqind, krahasuar me vitin paraardhës. Kjo, sipas zyrtarëve, ka ndodhur për shkak të menaxhimit të keq dhe mos investimit në teknologji të re, çka sipas burimeve ka ndikuar në një ofertë më të ulët financiare se sa është pritur.

PTK-ja aktualisht ka rreth 1 milionë abonentë celular, 100 mijë të tjerë i takojnë telefonisë fikse, të cilët gjithashtu janë të pajisur me internet dhe televizor. Transaksioni përfshin vetëm shërbimin celular dhe fiks, por jo edhe postën, e cila ka filluar të funksionojë si e ndarë.

Shitja e PTK-së ka qenë rekomandim i Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA