Situata e sigurisë, me theks të veçantë ajo në veriun e Kosovës, ishte të premten temë bosht e debatit në Komisionin Parlamentar për Punët e Brendshme, Sigurinë dhe Mbikëqyrjen e FSK-së.
Kryetari i këtij komisioni, Ahmet Isufi e ka vlerësuar gjendjen e sigurisë në Kosovë të brishtë, si pasojë e mospranimit të marrëveshjes nga ana e Serbisë.
“Duke pasur parasysh se Serbia e ka ende Kosovën në Kushtetutën e vet, mendoj se Bashkimi Evropian dhe delegacioni i Kosovës duhet të jenë këmbëngulës që Serbia të heqë dorë nga Kosova dhe jeta normale e qytetarëve të zhvillohet në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Isufi.
Po ashtu, edhe deputeti tjetër nga opozita, Rexhep Selimi ka thënë situata e sigurisë nuk është e mirë dhe një nga faktorët që përkeqëson këtë situatë është ndërjyrja e Serbisë në territorin e Kosovës.
“Një ndër faktorët kryesorë të përkeqësimit të kësaj situate të keqe në Kosovë mbetet Serbia, e cila vazhdon që në kufirin e Kosovës të jetë e pranishme. Ndërsa brenda kufijve të Kosovës, ajo vijon të jetë jo vetëm në atë pjesë ku tashmë qeveria nuk ka kontroll, por edhe në pjesë të tjera”, ka thënë Selimi.
Duke folur në përgjithësi për sigurinë në Kosovë, Selimi ka shtuar se nuk ka një menaxhim të mirë të sektorit të sigurisë, për çka kërkoi sërish shkarkimin e ministrit të Brendshëm.
Në anën tjetër, Famit Xhelili nga PDK e ka vlerësuar situatën si të qëndrueshme, kurse për incidentet që kanë ndodhur gjatë këtyre muajve ka thënë se kanë qenë të parashikueshme në kohën kur do të zhvillohej dialogu Kosovë-Serbi.
“Unë e shoh që edhe ky problem do të zgjidhet në favor të qytetarëve të Kosovës dhe do të eleminohen lehtë ata faktorë që kanë shkaktuar destabizilim të herëpashershëm në sigurinë e vendit”, ka theksuar Xhelili.
Duke folur për lajmet e ditëve më parë të mediave serbe, të cilat shkruanin se Forca e Sigurisë së Kosovës është duke u përgatitur për të ndërhyrë dhunshëm në veri, deputeti i LDK-së, Anton Quni e ka vlerësuar këtë si një propagandë. “Kjo propagandë rrezikon edhe më shumë situatën dhe ndikon në përkeqësimin e raporteve ndëretnike”, ka thënë Quni.
Po ashtu, delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, të ndërmjetësuara nga BE, kryetari i Komisionit Ahmet Isufi i bëri thirrje që zgjidhjet të jenë brenda Kushtetutës së Kosovës.
Top Channel