Nuk kishte ndodhur kurrë më parë, që dy ekipe gjermane të shkonin njëkohësisht në gjysmëfinale të Champions League.
Ecuria e Bayern Munchen dhe Borussia Dortmund i jep karakteristika të reja futbollit europian, tashmë i konsoliduar në aksin Spanjë-Gjermani.
Kanë mbetur jashtë Italia, Franca dhe akoma më herët Anglia. Shorti, që do të hidhet në Nyon, ditën e premte në 12:00, mund të dhurojë mbase edhe dy ndeshje derbi.
Spanja dhe Gjermania nisen me nga dy skuadra, edhe pse për pak sekonda mund të ishte menduar një betejë “3-1” në favor të Spanjës. Por, Dortmund ka arritur të përmbysë Malaga-n, në një “foto-finish” dramatik, duke e nxjerrë jashtë Champions-it, edhe pse me një gol në pozicion jashtë loje të Felipe Santana, duke balancuar hierarkitë.
Futbolli spanjoll mbetet më i fortë, duke patur parasysh përfaqësimin me Real dhe Barça, edhe pse ecuria e katalanasve, veçanërisht, është “minuar” nga disa incidente.
Më i rëndësishmi ka qenë ai i “San Siro”-s kundër Milanit, ku skuadra dukej se kishte humbur shkëlqimin dhe konkretizimin. Por, ai disavantazh 2-0 u rikuperua nga një super provë në “Camp Nou”, ku katalanasit fituan 4-0. E megjithatë, disa gjurmë pakënaqësie u lanë edhe në çerekfinale në sfidën e dyfishtë me PSG-në.
Mbi të gjitha në ndeshjen e kthimit, ku “blaugranat” ishin të eliminuar 20 minuta nga fundi i takimit, nga formacioni i Ancelotti-t, deri në momentin kur në fushë zbriti “pleshti” (simptoma të varësisë ndaj Messi-t?).
Më pak torturues ka qenë ecuria e Real Madrid, që pasi u kualifikua në grup si e dyta, i shpëtoi “kthetrave” të Manchester United në “Old Trafford”, si dhe hipotekoi gjysmëfinalet që në ndeshjen e parë në “Bernabeu” ndaj Galatasaray-t.
Duke kursyer energji në kampionat, mund të rezultojë një strategji pozitive për Mourinho-n, i cili tenton kështu të fitojë Champions-in me skuadrën e tretë, pas fitoreve me Porton dhe Interin.
Mbi të gjitha Reali e njeh mirë potencën e Borussia-s, pasi gjermanët i mposhtën në fazën e grupeve në Dortmund dhe barazuan 2-2 në Madrid (për pak mund t’i kishin mposhtur edhe në Spanjë).
Skuadra e Klopp e mbylli në krye fazën e grupeve, më pas “asfaltoi” Shakhtar Donetsk në 1/16-at, por vuajti shumë ndaj Malaga-s në çerekfinale. Nga ky moment, duke qenë se vendin e dytë në Bundesligë e kanë pothuajse të sigurt, mund t’ia dedikojë të gjitha fuqitë Champions-it.
Skuadra e tyre e re në moshë dhe tepër sulmuese të frikëson. Pak më pak se ajo e Bayern-it, që në sfidën e dyfishtë me Juventus ka treguar ndoshta se është kandidati numër 1 për fitoren në finale.
Një sfidë e dyfishtë e menaxhuar më së miri dhe pa u vënë kurrë në vështirësi, duke ulur në maksimum rreziqet dhe difektet. Heynckes, i cili sapo ka fituar kampionatin me bavarezët, kërkon të largohet nga Mynihu me një tjetër triumf dhe Guardiola, paradoksalisht, mund ta gjejë skuadrën mëse të kënaqur.
Në pritje të shortit të Nyon-it, ia vlen të kujtohet se prej 2007-2008 nuk shkojnë në finale dy skuadra të të njëjtit shtet… atëherë e bënin Manchester United dhe Chelsea.
Top Channel