Ushqimet, rritje rekord çmimesh

11/04/2013 19:45

Çmimet e artikujve bazë ushqimorë kanë hyrë në një fazë rritje të fortë. Tregtarët thonë se kjo tendencë vazhdon që prej fillimit të vitit.

Në mars, inflacioni i ushqimeve arriti sipas të dhënave zyrtare, rekordin dy-vjeçar, 5.8 për qind.

Rritja ka qenë më e fortë tek zarzavatet me 24.6 për qind krahasuar me një vit më parë dhe frutat, të cilat janë shtrenjtuar me dhjetë për qind krahasuar me marsin e kaluar.

Tregtarët thonë se rritja e çmimeve vjen nga importi. Por, edhe prodhimet e para të vendit që sapo kanë filluar të hyjnë në treg dalin me kosto të lartë.

Rritja e çmimeve të artikujve bazë ushimorë godet fort familjet me të ardhura të ulëta, të cilat shpenzojnë pjesën dërrmuese të buxhetit që kanë, deri në 80 për qind vetëm për t’u ushqyer.

Edhe pse inflacioni i përgjithshëm mbetet i ulët, në 2.4 për qind, kjo i dedikohet rënies së çmimeve tek disa zëra që për të varfërit mbeten luks si mallrat e kujdesit personal apo dhe transporti.

Ekspertët e Bankës së Shqipërisë mendojnë se situata e rritjes së çmimeve në tregun ushqimor do jetë kalimtare. Por, deri tani shtrenjtimi me 5.8 për qind i ushqimeve, për familjet që jetojnë me një pagë minimale apo deri në 30 mijë lekë, ka gërryer gjithë lehtësimin qeveria bëri përmes heqjes së tatimit mbi të ardhurat personale. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA