
Shtëpia e një banori serb në Istog është sulmuar me eksploziv mbrëmjen e
së mërkurës, për fat të mirë pa pasur pasoja në njerëz.
Sipas raportimeve të “REL”, që citon burime policore, ngjarja ka ndodhur pak pas mesnatës dhe mjeti shpërthyes ka shkaktuar vetëm dëme materiale.
“Ende nuk është konstatuar nga ekspertët se çfarë lloj eksplozivi është përdorur në këtë sulm”, ka deklaruar rreshteri Xhevat Ibra, nga Policia e Kosovës.
Mësohet se pronarët e shtëpisë janë banori serb dhe bashkëshortja e tij nga Shqipëria, të cilët, sipas burimit, në momentin e sulmit ishin duke fjetur.
Bëhet fjalë për sulmin e radhës të këtij lloji, që tashmë janë kthyer në një lloj rutine e jetës së përditshme të banorëve të veriut të Kosovës.
Pak ditë më parë, persona të panjohur sulmuan me armë zjarri shtëpinë e Ilir Kajeviç, e cila ndodhet në lagjen ‘Bair’ në jug të qytetit të Mitrovicës.
Ngjarja ndodhi pas mesnate dhe sikurse në rastin e mësipërm, përveç dëmeve materiale fatmirësisht nuk pati të lënduar në njerëz.
Të shtënat goditën dritaret e shtëpisë dhe në vendin e ngjarjes policia gjeti katër gëzhoja të plumbave të qëlluar. Ndërkaq, pronari i shtëpisë, Ilir Kajeviç tha se ai dhe familjarët e tij janë të shqetësuar tej mase pas këtij sulmi.
Situata e sigurisë në veri të Kosovës është e qetë, por jo e qëndrueshme, vlerësuan javën e kaluar zyrtarët vendorë dhe përfaqësuesit e strukturave të sigurisë.
Ata morën pjesë në takimin e Komitetit të Sigurisë që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës.
“Incidentet e shpeshta në veri dhe provokimet e strukturave ilegale serbe janë duke e mbajtur situatën të tensionuar”, deklaroi drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim i Komunës së Mitrovicës, Behxhet Bala.
Ndërkohë, i ashtuquajtur Drejtor i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin deklaroi se Serbia nuk do t’i largojë strukturat e veta, të cilat janë përkujdesur për mbetjen e serbëve në Kosovë.
Këtë deklaratë ai e beri më herët gjatë muajit, në një takim të mbajtur me banorët serbë të fshatit Syriganë dhe Banjë të komunës së Skënderajt
Top Channel