Pukë, keqtrajtoi dhe vrau fqinjin, arrestohet 31-vjeçari

11/04/2013 00:00

Arrestohet pas pesë muajsh kërkimesh Palok Çoku, i cili dyshohet se
keqtrajtoi dhe vrau fqinjin e tij, Dodë Prenga, 51 vjeç.  Ngjarja ndodhi
mbrëmjen e 8 nëntorit të 2012-s, në vendin e quajtur Gjethbajë në
fshatin Gojan të Pukës.

Sipas policisë, që prej mbrëmjes së krimit, 31-vjeçari Çoku fshihej në vende të ndryshme, ndërsa gjatë natës së djeshme është arrestuar në një zonë të pabanuar.

Dyshohet se vrasja e Dode Prengës në kullotë erdhi pas konfliktit për territoret e mbledhjes së predhave të shpërthyera pranë reparteve ushtarake në Gjegjan të Pukës. Prej vitesh banorët bënin kërkime për mbetjet e pas trazirave të vitit 1997 dhe pasi i mblidhnin këto hekurishte, i shisnin për skrap. Disa javë përpara vrasjes, 51-vjeçari, baba i tre fëmijëve kishte përplasje të ashpra me 31-vjeçarin Çoku.

Dyshohet se ditën e krimit i riu e ka pritur Prengën teksa shkonte në kullota me bagëti dhe pas një grindjeje e ka goditur pas koke me një sëpatë. Prenga ka gjetur vdekjen brenda pak minutash dhe u gjet i pajetë pas disa orësh nga familjarët, të cilët kishin dal ta kërkonin në kullota.

Top Channel