Politikani kosovar Fatmir Limaj kërkoi gjykim të shpejtë dhe të drejtë në çështjen e Ministrisë së Transportit dhe Postë Telekomunikacionit, duke e cilësuar aktakuzën e ngritur ndaj tij një “përrallë”. Në vazhdimin e seancës fillestare, ish-ministri Limaj shfrytëzoi të drejtën për të deklaruar pafajësinë.

“Unë deklarohem i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës dhe pres që në shqyrtimin e dytë me argumente t’i kundërshtoj të gjitha pikat e aktakuzës, përveç me shkrim edhe me gojë dhe gjithashtu shpresoj të kem kohë të mjaftueshme për këtë. Dhe një gjë tjetër, mos u shqetësoni për dy rastet e mija, unë jam i gatshëm çdo ditë të jem në gjykatë në të dyja rastet, vetëm që të vijmë deri tek e verteta. Prej pese vitesh familja ime torturohet me këto përralla që u thanë deri tani”, deklaroi Limaj.

Pafajësinë e deklaruan edhe të akuzuarit e tjerë, dy vëllezërit e Limajt dhe bashkëpunëtorët nga kabineti ministror. Nga ana tjetër, ish-shefi i IT-së, Gani Zogaj kërkoi të hidhet poshtë akuza ndaj tij me arsyetimin se gjithçka është një keqkuptim, pasi ai nuk ka pasur të drejtë ligjore për hapjen e dhomave të serverave.

Të akuzuarit u deklaruan pasi prokurori i çështjes lexoi disa nga pikat e aktakuzës. Në mënyrë të detajuar para publikut u soll përmbajtja e mesazheve telefonike të shkëmbyera nga grupi i cili po akuzohet. Tomë Gashi, avokat i Fatmir Limajt, deklaroi se mesazhet jane false.

Palët kanë afat deri më 10 maj që t’i dorëzojnë ankesat e tyre në mënyrë që të vazhdohet më tutje me këtë proçes gjyqësor. Fatmir Limaj, dy vëllezërit e tij, ish-shefi i kabinetit, ish-shefi i Prokurimit i Ministrisë së Transportit, ish-shefi i IT-së dhe një biznesmen akuzohen se përfituan në mënyrë të jashtëligjshme nga tenderat publikë infrastrukturorë.

Top Channel