Kriza koreane, në Penian kërcehet

11/04/2013 17:05

Ndërsa kriza në Gadishullin Korean vazhdon të përshkallëzohet, perspektiva e një lufte me rrjedhoja për të gjithë rajonin po bëhet gjithmonë e më e mundshme.

Sipas raportimeve të inteligjencës, Korea e Veriut mund të rrisë në mënyrë dramatike tensionet, nëpërmjet një testi bërthamor që mund të realizojë ditën e hënë.

Ndërkohë, Peniani ka drejtuar kokat e rekatave të tij bërthamore e balistike nga qielli, gati për sulm ndaj Koresë së Jugut, Japonisë apo bazave amerikane në Azi, nëse vendi do të sulmohet ose do të zgjedhë të godasë i pari.

E ndërsa tensioni përjetohet me ankth në vendet aziatike dhe ato perëndimore, propaganda e vendit komunist më të izoluar në botë paraqet një fytyrë krejt tjetër.


Grate ushtare te Korese se Veriut, ne gatishmeri lufte

Ditën e enjte, Agjensia e vetme e Lajmeve e Koresë së Veriut “KCNA”, publikoi imazhe të ushtareve të tij femra, në një artikull në të cilin siguronte vendet “imperaliste dhe kukullat e amerikës” se nëse “do të guxojnë” të provokojnë popullin korean, do të përballen me “grushtin e pamposhtur” të 25 milionë banorëve, burra, gra, fëmijë dhe pleq, që do të “zmprasnin pushtimin si në vitin 1953”.


Ushtare koreanoveriore ne veri, te buzeqeshur dhe relaksuar pavaresisht tensionit

Këto fjalë u shoqëruan me imazhe të grave ushtare, të cilat të veshur në mënyrë identike me kolegët e tyre dhe me një kallashnikov në dorë, në mënyrë ironike shfaqnin si shenjë të vetme të feminilitetit të tyre këpucët me taka.

Imazhet e prapagandës shkonin më tej, me ushtarë të relaksuar koreanoveriorë pranë kufirit dhe diktatorin Kim Jong-un, që në mes të tensionit, vendosi të ndiqte një koncert filarmonik në Penian.


Hare dhe gezim ne Penian. Propaganda e Korese se Veriut publikon imazhet e nje popullsie te qete dhe te gezuar, pavaresisht tensionit

Ndërkohë, në kryeqytetin e Koresë së Veriut, organizohen festa popullore, në të cilën banorët, kuptohet të urdhëruar, vishen me kostume tradicionale, për të kërcyer me orë të tëra.


Pamje “e vertete” e Penianit, ne nje dite te zakonshme

Të gjithë këto shfaqje për të treguar se vendi komunist është i qetë dhe po përjeton “pa frikë” këto momente tensioni. E megjithatë, ajo që ndodh me të vërtetë përtej imazheve propaganduese, mbetet e panjohur, së bashkur me dilemën e madhe, atë se çfarë po mendon diktatori Kim Jong-un në mendjen “më hermetike” të botës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA