Të martën më 16 prill Komisioni Evropian do të miratojë raportin për
Kosovën dhe Serbinë, raporton “RTK” në edicionin e saj online.

Ndërkohë, më 22 prill, kryediplomatja e BE-së, Catherine Ashton do të raportojë para ministrave të Jashtëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Bashkimi Evropian vazhdon të jetë në pritje që Serbia të ndryshojë mendjen dhe të pranojë propozimin e marrëveshjes që ka dalë si rezultat i tetë raundeve të dialogut mes kryeministrave Thaçi dhe Daçiç.

Pas refuzimit që Serbia i bëri ofertës së BE, vetë Ashton i bëri thirrje Beogradit që të bëjë edhe një përpjekje të fundit për të arritur marrëveshjen, në të mirë të qytetarëve.

Duke rikujtuar takimet e zhvillluara në gjashtë muajt e fundit, Ashton tha se, të gjitha elementet për një marrëveshje mbi veriun e Kosovës janë në tavolinë.

“Marrëveshja duhet të arrihet mes dy palëve, nuk i takon Bashkimit Evropian ta imponojë atë. Unë besoj në një të ardhme të ndritur për Serbinë dhe Kosovën dhe e di se, sado i vështirë të ketë qenë ky sukses, ai ka hapur mundësinë për qytetarët, veçanërisht në veriun e Kosovës, të kenë një jetë më të mirë”, tha Ashton.

“Shpresoj se Kosova dhe Serbia nuk do ta humbin këtë shans, për ta lënë të kaluarën pras dhe për të lëvizur përpara drejt së ardhmes”, shtoi shefja e diplomacisë evropiane.

Top Channel