Për herë të parë në Shqipëri është duke u zhvilluar këto ditë Kampionati Europian i Peshëngritjes, i cili do vazhdojë deri më datë 15 prill.
Në një atmosferë festive, ekipi përfaqësues shqiptar e nisi pozitivisht garën pranë mjediseve të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, ku po mbahet aktiviteti. Shqipëria përfaqësohet nga 10 meshkuj dhe dy femra, ndërsa në garë janë 35 shtete të konsideruara konkurrente të forta me afërsisht 400 sportistë dhe mbi 50 trajnerë.
Deri tani rezultatet janë pozitive. Peshëngritësi Daniel Godelli, në stilin e shtytjes ka arritur të ngrejë 180 kilogramë, 4 kilogramë më shumë se vendi i dytë, që do të thotë medalje ari në këtë stil. Euforia e të riut është evidente, pritshmëria është përmbushur plotësisht. Në stilin e shkëputjes ai ngriti 145 kilogramë duke zënë vendin e tretë, pra medalje bronzi.
Djaloshi nuk mbeti prapa dhe në dygarësh ku ngriti 325 kilogramë, duke u renditur i treti. Pra, për Shqipërinë bilanci është 3 medalje për djemtë.
“Një kampionat i tillë është i rrallë për vendin tonë dhe ndihem krenar për medaljet e marra në këtë aktivitet. Tashmë kemi lojërat mesdhetare në Turqi dhe shpresoj për një tjetër medalje ari”, theksoi Godelli në studion e “Pasditë në Top Channel”.
Deri në këto momente “shijen” e medaljes e ka provuar dhe Romela Begaj, duke siguruar një të argjendtë dhe dy bronzi.
Në kategorinë 58 kilogramë, Romela në dygarësh është renditur e treta gjë që ka siguruar medaljen e bronzit. Në stilin e shkëputjes ajo arriti të ngrejë shtangën me peshën 95 kilogramë, ndërsa në shtytje ngriti 112 kilogramë.
“Isha në formë, por emocionet ishin edhe më të forta. Në këtë sport duhet të jesh shumë e vëmendshme dhe shumë e qetë. Ishte një garë shumë e fortë dhe emocionuese sepse isha përballë popullit tim. Por edhe bllokohesh nga ana emocionale”, deklaroi Begaj.
Ekipi përfaqësues i Shqipërisë ka nisur stërvitjen intensive tre muaj më parë në qytetin e Durrësit. Që në fillim të garës mendohej se ekipi i 12 konkurrentëve do t’i dhuronte medalje Shqipërisë pasi stërvitjet kanë treguar formë të mirë.
Top Channel