Bayern Munchen, i pakënaqur me arbitrimin

11/04/2013 16:15

Arbitrimi i spanjollit Carlos Velasco Carballo në fitoren 2-0 të Bayern Munchen ndaj Juventus ka marrë kritika të ashpra në Gjermani dhe mes tyre është edhe zëri i Franz Beckenbauer, President Nderi i klubit bavarez.

Beckenbauer nuk ka qenë aspak dakord me kartonin e verdhë ndaj Mandzukic, karton që e skualifikon sulmuesin kryesor të Bayern për gjysmëfinalen e parë të Champions. Para ndeshjes Juventus-Bayern Munchen, në Gjermani shikohej me dyshim caktimi i një arbitri spanjoll për këtë sfidë, duke marrë parasysh se Bayern mund të ndeshet në gjysmëfinale me Real Madrid ose Barcelona.

“E njoh FIFA-n dhe UEFA-n. E di se si i bëjnë gjërat dhe nuk i kuptoj aspak. Personi që cakton arbitrat është spanjoll edhe tek FIFA, edhe tek UEFA”, theksoi Beckenbauer për ‘TZ’.

Ndërsa gazeta ‘Bild’ vë në dukje se Mandzukic mori karton të verdhë për një episod jo shumë të qartë, ndërsa Chiellini dhe Vucinic nuk u ndëshkuan pasi goditën me bërryl kundërshtarin.

Top Channel