
Një debat në Kuvendin e Kosovës për zhvillimin ekonomik dhe politikat fiskale të ekzekutivit kosovar nxiti reagimin e kryetarit të Parlamentit, Jakup Krasniqi. Ai tha se që nga pas lufta, Kosova është pa strategji të zhvillimit ekonomik.
Krasniqi foli për një ambient shumë të pafavorshëm për investitorët e huaj, ku sipas tij përveç plotësimit të kushteve nga investitorët, atyre u kërkohet edhe pjesë në investim.
Sipas Krasniqit, partitë e mëdha janë të lidhura me kompani tregtare duke ngritur pikëpyetjen nëse ato janë fuqizuar kaq shumë duke e zbatuar ligjin.
“Me kë janë të lidhur kontrabandisitët e veriut dhe ata të jugut, si dhe shumë zyrtarët të vendit që mbajnë deri në pesë poste të larta, duke shkelur ligjin çdo ditë”, është shprehur Krasniqi.
Sa i përket krimit të organizuar në veri të Kosovës, ku institucionet policore dhe doganore pothuajse nuk funksionojnë, kryetari i Kuvendit shtroi pyetjen nëse ai mund të funksionojë pa një rrjet edhe në jug të Mitrovicës.
Në këtë kuadër, Krasniqi kritikoi EULEX-in për mungesë efektiviteti në veri. Këto komente kryetari i bëri gjatë debatit parlamentar lidhur me ndryshimin e politikave fiskale në funksion të nxitjes, rritjes së prodhimtarisë vendore dhe zhvillimit ekonomik në tërësi.
Top Channel