Prezantohet Lotaria Kombëtare

10/04/2013 18:40

Lotaria Kombëtare, e shoqëruar me polemika të forta sa i përket tenderit që i dha kompanisë austriake “Austrian Lotteries” monopolin dhjetëvjeçar të lojrave të fatit, kundrejt çmimit simbolik 3.5 milionë euro, u prezantua sot zyrtarisht para publikut shqiptar.

Drejtuesit e kompanisë njoftuan se duke filluar nga kjo javë, çdo qytetar në moshë madhore mund të bëhet pjesë e Lotarisë Kombëtare, çka i jep shansin të fitojë një çmim deri në 10 milionë lekë.

Për të marrë pjesë në lojë, qytetarët mund të blejnë biletën që kushton 100 lekë në pikat e autorizuara të shitjes, të cilat mund të dallohen nga logoja e kompanisë.

Shorti do të transmetohet në televizion çdo të dielë, duke filluar nga data 21 prill. Për drejtorin ekzekutiv, Peter Simoner, në produktin “Loto 6 nga 39”, probabiliteti për të fituar çmimin 10 milionë lekë është 1 në 4 lojtarë.

Ndërsa zv.ministri i Financave, Alfred Rrushaj kërkoi transparencë në zbatimin e rregullave të lojës, që nga operimi deri tek shpërndarja e çmimeve.

Më tej Rrushaj theksoi se qeveria shqiptare i dha të drejtën e ushtrimit të këtij aktiviteti kompanisë austriake, për shkak të integritetit të saj të sprovuar në këtë biznes, që siç u shpreh ai, përbën rrezik nëse bie në duar që duan ta përdorin për qëllime jo të ligjshme.

Krahas aftësive teknike dhe financiare, Rrushaj vlerësoi edhe politikën e kompanise austriake për mbrojtjen e minorenëve dhe grupeve në nevojë në përgjithësi.

Top Channel