Në gjyq ish-bosja e “Gjallicës”

10/04/2013 20:00

Një tjetër proçes gjyqësor ka nisur ndaj ish-boses së firmës piramidale “Gjallica”, Shemsie Kadria, pas kallëzimit të dy qytetarëve se u kishte marrë disa shuma paradhënie për prenotimin e një apartamenti në kryeqytet.

Prokurori i çështjes, Gjergj Tako i tha gjykatës se ajo ka mashtruar duke marrë prej dy qytetarëve përkatësisht 2.2 milionë lekë dhe 2.1 milionë lekë.

“Me kalimin e kohës as apartamentet nuk u vunë në dispozicion të kallzuesve dhe as lekët nuk u kthyhen. Shemsie Kadria ka mashtruar kallëzuesit. Nga pasqyrat financiare të faturave tatimore rezulton se shoqëria nuk është në aktivitet përballë organeve tatimore”, deklaroi prokurori Tako.

“Kallëzuesi ka thënë se nuk di gjë për veprën penale dhe ka bërë kontratën e qerasë. Prokurori e akuzon Shemsie Kadrian edhe pse ajo s’ka asnjë lidhje”, replikoi nga ana tjetër avokati Sadri Dida.

Por ndërsa gruaja është shpallur në kërkim, Top Channel e kontaktoi ish-bosen e “Gjallicës”, Shemsie Kadria, e cila gjatë një interviste e konsideroi këtë dosje si një sajesë të prokurorisë.

“Nuk është e vërtetë që unë kam mashtruar as në kohën e “Gjallicës” e as sot, për një shoqëri që është krijuar tani. Firma është e re, ka marrë leje ndërtimi, ka bërë prenotime dhe me njerëzit që kanë dhënë paratë unë nuk kam lidhje fare. Firmën e ka nipi im, djali i motrës. Unë s’i njoh fare këta persona. I kam njohur vetëm nga kontaktet që ka pasur nipi. S’jam dakord me akuzat as të asaj kohe e as të atyre tani. “Gjallicën” e kam dorëzuar që në 96-ën dhe kam krijuar shoqërinë “Arber Holding”. Më pas kam ikur në Itali, jam kthyer në 97-ën nga Italia, jam larguar në Turqi, jam ekstraduar, kam bërë 7 vjet burg dhe jam liruar. Kjo është një akuzë tepër e sajuar”, ka thënë Kadria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA