Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, reagoi ndaj zhvillimeve të fundit në dialogun Kosovë-Serbi, duke bërë thirrje që të mos shpërdorohet mundësia për kompromis.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Lunaçek fton palët të mos braktisin punën dhe negociatat e viteve të fundit, pasi mundësia për kompromis mbetet brenda dialogut Kosovë-Serbi.

“Megjithatë, koha po mbaron. Vendimarrësit politikë, veçanërisht në Beograd, por gjithashtu në Prishtinë, duhet të marrin përgjegjësitë dhe të garantojnë se nuk do të humbasë progresi i madh i viteve të fundit”, bën thirrje raportuesja e PE.

Ulrike Lunaçek kujton se pa një kompromis nuk mund të nisin negociatat me Serbinë dhe se refuzimi kompromenton edhe proçesin e integrimit të Kosovës.

“Propozimi i Përfaqësueses së Lartë Ashton, për të ofruar terren neutral për vazhdimin e dialogut është i mirëpritur. Udhëheqësit politikë në Kosovë dhe Serbi duhet ta shfrytëzojnë këtë shans”, nënvizoi Lunaçek.

Ajo ka konfirmuar në këtë mënyrë planet e baroneshës Ashton për një takim tjetër të mundshëm mes palëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA