Ajo çfarë zakonisht njihet si kontratë paramartesore,nuk është absolutisht një ide e re ligjore apo shoqërore. Studiuesit thonë se njerëzit kanë bërë kontrata të tilla prej mijëra vitesh.

Autorët e librit “Si të shkruajmë një kontratë të ndershme paramartesore”, Kethrin Stoner dhe Shi Irving, shkruajnë se kjo praktikë daton që në kohën e Egjiptit të Lashtë dhe se këto marrëdhënie kanë ekzistuar për shumë shekuj në traditën angloamerkane. Sipas tyre, në kohët e vjetra ishin prindërit e nuses dhe dhëndrrit që negocionin për marrëveshjen ekonomike të çiftit.

Historia sjell në vëmendje kontratën martesore të hebrenjve që quhej “Ketuba” e cila daton para 2 mijë vitesh si një nga dokumentat e parë ligjorë që u jepnin të drejta finaniare dhe ligjore grave. Kontratat bëheshin atëherë për të mbrojtur gruan që në rast divorci apo vdekje të bashkëshortit të mos mbetej e pastrehë.

Në shekullin e VII në Irlandë, kontrata të tilla konsideroheshin si domosdoshmëri.

Ndërkohë, tek personat e famshëm që kanë bërë kontratë të tillë përmenden Eduardi IV, i cili bëri marrëveshjen me Eleonor Batler mes viteve 1461-1464 si dhe Elizabet Oglethorp në vitin 1744 para se të martohej i kërkoi gjeneralit Xhejms Eduard që të firmoste një kontratë të tillë për të mbrojtur të drejtat mbi pronën e saj.

Ndërsa sot praktika të tilla janë të përhapura në të gjithë botën. Në disa vende si Belgjikë dhe Holandë, kontratat paramartesore jo vetem parashikojnë pasojat e divorcit, por gjithashtu mbrojnë pronën të vënë gjatë martesës në rast se ka falimentim të biznesit.

Në Kanada, Francë, Itali dhe Gjermani njihen regjimet martesore, të cilat janë të përcaktuara ose në ligj ose nëpërmjet kontratave të parshikuara në Kodin Civil.  

Si bëhet një kontratë paramartesore

Të bësh një kontratë paramartesore nuk është aspak e vështirë. Mimoza Sadushaj, presidente e Dhomës Kombëtare të Noteriseë, shpjegon se nëse një çift do të bëjë një marrëveshje të tillë, mjafton të paraqitet tek noteri fizikisht ose nëpërmjet përfaqësuesve të tyre: “Noteri të jep idetë e qarta dhe i sqaron ligjin.”

Përveç ideve të qarta sesi partnerët duan të veprojnë me financat e tyre gjatë kohës që janë të martuar, ata duhet të kenë edhe dokumente me vete: “Duhen kartat e identitetit dhe nëse do bëjnë specifikime mbi pronat, duhen edhe dokumentat e pronësisë.”

Por çfarë përmban saktësisht një kontratë? Sadushaj na shpjegon detajet: “Kontrata përcakton shumë gjëra. Vendos se kush ka të drejtë të administrojë pronën. Mund të përcaktojë të ardhurat që mund të derdhin për rritjen dhe edukimin e fëmijëve.”

Pasi hartohet kontrata me specifikimet e duhura, çifti e firmos atë dhe mban secili kopjen e vet. Ndërkohë që një kopje arkivohet tek noterja. Por, a mund të ndryshojë kontrata? Sigurisht që po: “Cifti ka të drejtën ta ndryshojë një herë në dy vjet.”

Sipas Sadushajt, janë ende shumë të rralla rastet kur shqiptarët drejtohen tek noteri për të bërë një kontratë. Janë të huajt që martohen në vendin tonë ata që e ndjekin këtë praktikë. Gjtihsesi, sipas saj, rastet po vijnë në rritje.

Kontratat paramartesore të VIP-ave

Njerëzit e famshëm janë mjeshtra të kontratave paramartesore. Shumë prej tyre kanë vendosur kushte që mund të duken të çuditshme.

Përshembull, Xhesika Bill para se të martohej me Xhastin Timberleik, vendosi si klauzolë në kontratë se nëse këngëtari i njohur e tradhëton, ajo përfiton të paktën 500 mijë dollarë. Vështirë për ta thyer një marrëveshje të tillë apo jo?

Aktoret Majkëll Dagllas dhe Kethrin Zeta Xhons kanë një kusht të ngjashëm gjithashtu. Përveç 2.8 milionë dollarëve që Zeta Xhnos merr çdo vit nga martesa, ajo gjithashtu do të marrë dhe 5 milionë dollarë bonus nëse Dagllas do ta tradhëtonte. Ndoshta askujt s’i shkon në mendje se Dagllas mund të tradhëtonte një ndër aktoret më të bukura të botës, por gjithsesi ajo vetë e ka vendosur këtë kusht në kontratën e saj.

Kontratë interesante është konsideruar ajo e Klo Kardashian, aktore, prezantuese, biznesëomen e njohur amerikane me basketbollistin e njohur Lamar Odom. Klo ka kërkuar 500 mijë dollarë për çdo vit që janë të martuar, 25 mijë dollarë në muaj për tu kujdesur për shtëpinë, makinën e re, 5 mijë dollarë në muaj për shoping, 1 mijë dollarë veçmas për kujdesin estetik dhe bileta për gjithë familjen.

Kur këngëtarja Xhesika Simpson dhe sportisti Toni Romo ishin bashkë, u fol gjatë për kontratën e tyre paramartesore. Thuhej se Romo donte të fuste një kusht që quhej pak i pisët. Nëse këngëtarja do të peshonte më shumë se 61 kilogramë gjatë martesës së tyre, ajo duhet t’i paguante Romos 500 mijë dollarë.

Nikolë Kidman nuk kishte planifikuar të bënte një kontratë për martesën e saj me këngëtarin Keit Urban, por kur këshilltarët e saj insistuan, ata ranë dakord për një marrëveshje ku Keit do të merrte rreth 600 mijë dollarë për çdo vit që ata do të ishin të martuar. Por nëse ai përdorte droge, pasi në të shkuarën Urban ka qenë i varur nga kokaina, ai nuk do të merrte asnjë qindarkë.

Aktori Bred Pit dhe mbretëresha e bebeve, Anzholin Zholi, hartuan një kontratë që siguronte se nëse ndaheshin do ishte aktorja që do kishte kujdestarinë e të gjithë fëmijëve. Por, me kalimin e kohës ata e ndryshuan kontratën. Aq më tepër që çifti aktualisht nuk është martuar ende. Ndërkohë Bred dhe Xhenifer Eniston nuk kishin më parë një kontratë pasi kishin pothuaj të njëjtën pasuri. Ata thjesht i mbanin paratë e tyre secili më vete.

Top Channel