Ikja nga koalicioni qeveritar i LSI-së nuk është reflektuar në mbledhjen e këshillit bashkiak të radhës në kryeqytet.
Këshilltarët e LSI-së kanë votuar pro, sikurse dhe ata të PD-së, 6 projekt-vendimet e paraqitura në këshillin bashkiak, ndërkohë që këshilltarët e PS-së kanë votuar kundër shumicën e këtyre vendimeve.
“Ne e mbështesim si grup këtë donacion. Natyrisht, ne kemi qenë mbështetës të planit urbanistik, pjesë e të cilit është edhe zgjerimi. Kemi miratar njëkohësisht edhe buxhetin dhe natyrisht mbështesim çdo lloj granti, që sigurohet në të mirë të qytetarëve. Unë them ta miratojmë, kjo i shërben Tiranës dhe zhvillimit të saj, kështu që ftoj edhe këshilltarët e tjerë të japin mbështetjen”, tha Shezai Rrokaj.
Nuk kanë munguar debatet ndërmjet këshilltarëve të majtë dhe kryetarit të Bashkisë, Lulzim Basha, përsa i përket projekt-vendimit për miratimin e detyrimeve financiare, që rrjedhin nga granti i shtetit të Katarit, për zgjatimin e bulevardit “Zogu i parë” dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës, parashikuar në planin e ri rregullues.
“Ky plan është i rrëzuar, sepse nuk bën gjë tjetër veçse, në një pjesë të konsiderueshme të tij, ligjëron ndërtimet pa leje, të cilat nisën përpara këtij plani në Tiranë dhe vazhdojnë të shoqërojnë edhe procedurat e tjera, që ky plan të definohet përfundimisht, për t’u dhënë lejet e ndërtimit. Pra, ky ishte një plan i nxituar edhe për efekte elektorale, por edhe për efekte klienteliste. Argumenti kryesor, që ky vendim nuk duhet të vinte sot këtu, është që ky vendim nuk ka kaluar në komisionin juridik. Nuk e kuptoj se si mund të vijë një akt në këshillin bashkiak, pa u certifikuar nga komisioni juridik i këtij këshilli. Aspekti tjetër, që tha zonja Berberi, mungesa e një marrëveshjeje apo edhe cështje të tjera, janë pika të cilat qëndrojnë”, u shpreh Aldrin Dalipi.
“Pse nuk gjej arsye, përvec se politike në arsyetimin e tij, për të abstenuar në këtë vendim”, tha Basha. “Me vendimin e sotëm ne i hapim rrugë fillimit të zbatimit të projektit. Natyrisht do të hidhet medyshja e aparatit, vendosja e linjave të tensionit, vendosja e hekurudhës dhe pas kësaj, nëpërmjet këtij granti, ne do të nisim menjëherë nga puna për ndërtimin e komponentit të parë të bulevardit të ri të Tiranës, ndërkohë që avancojmë për të përgatitur paketat e tjera, në mënyrë që kjo vepër publike të jetë e prekshme dhe e realizuar me standarde, brenda një kohe të shkurtër dhe pa vonesa”.
Granti i shtetit të Katarit kap vlerën e 7 milionë eurove dhe në fazën e parë është parashikuar zhvendosja e nënstacionit elektrik, që ndodhet në bulevardin “Zogu i parë”, për të vijuar më pas sipas projektit të studios arkitekturore “Grim show”.
Top Channel