Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar se Prishtina dhe
Beogradi mund të pajtohen nëse bien dakord për shkëmbimin e territoreve.

Në një intervistë për “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Daçiç i është referuar mundësisë së shkëmbimit të Luginës së Preshevës me veriun e Kosovës.

”Mirëpo, diçka e tillë nuk do të ishte e pranueshme për Uashingtonin. Atje vlerësojnë se kjo do të shkaktonte një luftë të re në Maqedoni”, ka thënë Daçiç.

Daçiç ka thënë se Serbia nuk dëshiron një shtet të vogël serb në Kosovë, siç është republika Srpska në Bosnjë e Hercegovinë, por dëshiron që serbëve t’u garantohen të drejtat e tyre.

Ai e ka cilësuar si “të pabazë” frikën në Kosovë se dhënia e më shumë kompetencave për Asociacionin e komunave serbe do të çonte në separatizëm.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se dialogu mbetet opsioni i vetëm i arsyeshëm për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

Thaçi: Gati të vijojmë dialogun

Ai ka shfaqur gatishmërinë për të pranuar ftesën për takim të përbashkët në Bruksel, që do të organizohej ditëve në vijim nga baronesha Catherine Ashton.

”Dështimi i dialogut nuk duhet të jetë opsion as i Kosovës dhe as i Serbisë. Për këtë arsye mbetem i vendosur dhe i gatshëm të pranoj çdo ftesë të re për takim të përbashkët në Bruksel”, ka thënë Thaçi për gazetën ”Blic”.

Ai ka theksuar se Kosova tashmë ka bërë shumë kompromise dhe ka mbetur konstruktive në përpjekjet për t’u arritur marrëveshje kreative me interlokutorin e saj.

Duke vlerësuar se dialogu është i vetmi opsion i arsyeshëm, Thaçi ka shtuar se, të dy palët janë pajtuar se marrëveshja është e domosdoshme për të hapur kapitull të ri paqeje, tolerance e bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve.

Kurti: Lajm i mirë

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti e ka quajtur lajm të mirë tërheqjen e Serbisë nga arritja e marrëveshjes me Kosovën për asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Në një konferencë për media Kurti kërkoi nga qeveria e Kosovës që të ndepresë dialogun. Ai tha që të gjitha marrëveshjet e arritura me Serbinë duhet të anulohen. “Nëse se bën Qeveria e Kryeministrit Thaçi atëherë duhet ta bëjë qeveria e re” tha lideri i lëvizjes Vetëvendosje. 

Kurti e kritikoi kryeministrin Thaci se edhe pas tërheqjes së Serbisë, Thaci e cilëson dialogun me Serbinë si mënyrën më të mirë për të normalizuar marrëdhëniet me këtë shtet. Kurti ftoi edhe partitë e tjera politike në Kosovë që të mos e përkrahin këtë proces më.

Pack: Refuzimi, humbin të dyja palët

Ndërkohë, ndaj refuzimit serb ka reaguar edhe eurodeputetja Doris Pack, e cila ka vlerësuar se ky dështim është i dëmshëm për të dyja palët e përfshira në bisedime.

Pack ka deklaruar për “REL” se, askush nuk i ka kërkuar Beogradit që të njohë Kosovën, por që të normalizojë raportet me të, me qëllim përmirësimin e jetesës për serbët e Kosovës.

Duke u shprehur skeptike për një zgjidhje të shpejtë, eurodeputetja ka rekomanduar përgatitjet për nisjen e një dialogu të ri, pasi në të kundërtën nuk do të mund të ecet përpara.

“Serbia nuk do të marrë datën e negociatave, por mendoj se as Kosova nuk do të jetë në gjendje të ece përpara”, ka thënë Pack, duke shtuar se, i takon qeverisë serbe të mendojë dhe rimendojë hapat që do të ndërmarrë.

”Serbët e dinë si do të dukej e ardhmja e tyre, por ata nuk e duan atë të ardhme. Këtu është problemi”, është shprehur eurodeputetja.

Top Channel