Fqinja e Ljubisha Bogdanoviç, 60-vjeçarit që vrau të gjithë të afërmit e tij, në një masakër të së martës në mëngjes në Serbi, nuk arrin ta besojë ende, që ka mundur të jetë në listën e të vrarëve së bashku me burrin e saj.
Ajo tregon fotografitë e gostive familjare, nga të cilat gjysma e personave janë vrarë. Në një shtëpi në mes të fshatit, dorazi ishte arritur herët në mëngjes, ndërkaq të lehurat e qenit i kanë zgjuar fqinjët, pasi më parë në fshat ishin vrarë 13 persona, prej të cilëve një foshnjë.
“Për këtë njeri nuk do të dyshoja kurrë. Ka qenë një njeri dhe fqinj i mirë. Asgjë të keqe nuk kishte, mbrëmë e pashë në rrugë dhe u përshëndetëm. Nuk e di ç’ka pasur në mendje, por erdhi deri te ne të vriste, vetëm se në atë moment mbërritën dhe policët e u largua”, tha Stana Kostadinoviç, fqinje e vrasësit.
Vrasësi ka kryer 13 vrasje dhe është nisur për te shtëpitë e tjera në fshat. Gruaja e tij, derisa ishte e plagosur, i ka telefonuar policisë dhe më pas Bogdanoviç ka tentuar të kryejë vetëvrasje.
Shefi i policisë së Serbisë, Millorad Veleviç, tha se të gjithë janë shokuar, pasi autori nuk kishte dosje në polici. Banorët e fshatit thonë se ai nuk ishte i varfër. Kjo është ngjarja e tretë, ku përfshihet një ish-ushtar në një masakër të tillë, pa sqarime.
Në vitin 2002, në Serbi qenë vrarë 7 persona nga një veteran, kurse në vitin 2007, nëntë të tjerë, të gjithë anëtarë të së njëjtës familje. Serbia ka shpallur një ditë zie për masakrën, për të cilën informuan mediat e tërë botës.
Top Channel