180 vite më parë, kur Pushkini shkroi romanin Eugjen Onjegini, përmbysi një klishe. Atëherë kur një grua as që konceptohej t’i drejtonte ndjenjat e para një burri, përmes figurës së Tatjanës, ai guxoi të thyejë këtë tabu.

Në kontekstin e mentalitetit të mbyllur të shoqërisë ruse të asaj kohe, i ngjashëm me shumë mendësi shoqërish të tjera, Tatjana, një vajzë e lirë dhe plot pasion mori inisiativën për t’i shprehur ndjenjat e para Onjeginit. Letra e saj shkruar plot ndjenjë për djaloshin, u kthye në një burim frymëzimesh për të dashuruarit dhe një kurajo se çdo vajzë mund të guxonte.
Me fjalët:

Po marr guximin që t’ju shkruaj…
Ç’do deshit më veç shpirtit tim?
E di, se është e drejta juaj
Të më dënoni me përçmim

Dashuria për Tatjanën shkon përtej zakonit dhe normave të shoqërisë. Dashuria për Onjeginin thyen çdo kufi.

Gjithë jeta ime me pat qenë
Një peng se ty do të takoj
Se Zoti jetën ma ka dhënë
Që gjer në varr të adhuroj…

Por Tatjana ishte thjesht një heroinë romantike letrash dhe jo reale. Kështu që edhe shembullin e saj vështirë ta ndeshje disa dekada më parë. Deri përpara 30 viteve dukej e pakonceptueshme që një grua të propozonte për martesë.

Por kohët kanë ndryshuar dhe tashmë nuk konsiderohet tabu që vajza ta thotë fjalën e para. Madje studimet tregojnë se numri i atyre që marrin përsipër këtë hap është i konsiderueshëm dhe se fenomeni po vjen duke u rritur. Sipas një studimi në Britaninë e Madhe, 1 në 10 gra merr inisiativën për të bërë pyetjen e madhe: A do martohesh me mua?

Megjithatë treçereku i grave që e kanë bërë këtë do të dëshironin që të ishte partneri ai që duhet të ndërmerrte këtë inisiativë. Kornizat standarte të marrëdhënieve sociale shpesh këtë rol ia atribuojnë burrit. Por, jo më rrallë ndodh që vajzat të jenë ato që hedhin hapin e parë. Në ditët e sotme nuk është më një tabu as për shqiptarët që vajza të joshë, të ftojë për kafe një djalë apo të jetë ajo që guxon të rrëmbejë puthjen e parë.

Sa i takon martesës, ato pëlqejnë më shumë t’i bien rrotull argumentit sesa të shkojne drejt e në deklarata konkrete.

Top Channel