Real Madrid dhe Borussia Dortmund janë dy skuadrat e para gjysmëfinaliste të Champions League.
Kanë bërë mrekullinë të dyja skuadrat, për t’ia dalë mbanë. Reali ka rrezikuar shumë, në ndeshjen e kthimit në Stamboll ku, pavarësisht se është mundur 3-2, ka arritur të kualifikohet, falë fitores në ndeshjen e parë, 3-0 në “Bernabeu”.
Cristiano Ronaldo zhbllokon ndeshjen pas 7 minutash por, në pjesën e dytë, skuadra turke bën një përmbysje të madhe. Barazojnë në fillim me Eboue, e më pas shënojnë Sneijder e Drogba.
Kur kishte mbetur vetëm vërshëllima përfundimtare e gjyqtarit, Cristiano Ronaldo shënon edhe golin e dytë, duke fiksuar shifrat në 3-2 në këtë ndeshje kthimi, që, pavarësisht humbjes, i kualifikon madrilenët për në gjysmëfinale.
Mrekullinë bën edhe skuadra e Jurgen Klopp, e cila gjen kualifikimin vetëm në shtesë dhe përmbys gjithçka brenda 2 minutave. Joaquin, në minutën e 25-të, kalon spanjollët në avantazh, por, përpara mbylljes së pjesës së parë, Lewandowski barazon në 1-1.
Shpërdorimeve të shumë rasteve nga gjermanët, falë edhe formës shumë të mirë të portierit të Malaga-s, i vjen përgjigjia pak minuta nga fundi i ndeshjes, kur Eliseu, në një pozicion të dyshimtë, i jep avantazhin skuadrës së Pellegrini-t.
Gjithçka dukej e mbyllur për të gjithë, përveç 11 lojtarëve të Borussia-s në fushën e lojës. Dy minuta i mjaftojnë Reus, e më pas Santana-së, për të bërë të pamundurën të mundur dhe për të çuar Dormund-in në gjysmëfinalet e Champions League.
Pas këtyre dy ekipeve të mbrëmjes së sotme, priten edhe dy gjysmëfinalistët e ndeshjeve të së mërkurës, ku do të përballen çiftet Juventus-Bayern Munchen dhe Paris SG-Barcelona. Pas përcaktimit të 4 skuadrave gjysmëfinaliste, në këtë sezon, do të hidhet sërish short për të përcaktuar përballjet e ardhshme.
Top Channel