Heynckes: Të mos i japim shpresa Juves

09/04/2013 15:10

Jupp Heynckes mendon se Bayern Munchen nuk e ka të sigurtë kualifikimin për në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve edhe pse rezultati 2-0 i ndeshjes së parë ndaj Juventusit është shumë i favorshëm për gjermanët.

“Nuk është një ndeshje e përfunduar, kualifikimi mbetet i hapur. Ata do të jenë shumë të motivuar dhe ne nuk duhet t’i japim shpresa. Nuk duhet të pësojmë gol”, theksoi Heynckes në konferencën për shtyp para ndeshjes.

Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se bavarezët do të luajnë në mbrojtje. Heynckes shtoi: “Nuk do të dalim nga vetja në Torino. Do të kërkojmë golin në mënyrë që ta detyrojmë Juven të shënojë katër. Kemi eksperiencë dhe e dimë se çfarë duhet të bëjmë.”

Në lidhje me deklaratat e Franz Beckenbauer mbi portierin e Juventusit, Gianluigi Buffon, tekniku veteran deklaroi: “Po flasim për një nga portierët më të mirë në histori. Buffon gaboi, por tregoi karakter dhe për këtë e admiroj. Për mua ai është një legjendë.”

Top Channel