Dhuna ndaj operatorit të TCH, pezullohet Breçani

09/04/2013 00:00

Policia e Shtetit njoftoi sonte në mbrëmje se është pezulluar nga detyra zv-drejtori i Policisë së Tiranes, Erzen Breçani, pasi dhunoi dy ditë më parë kameramanin e Top Channel, Gent Ballta.

Sipas një njoftimi për shtyp të zëdhënëses Laura Totraku, thuhet se “Lidhur me rastin e bërë publik nga televizioni Top Channel, që bën fjalë për dhunimin e operatorit të këtij televizioni, ditën e sotme, rreth orës 14:00, nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, është marrë masa e pezullimit paraprak nga detyra, ndaj zv-drejtorit për Sigurinë Publike, të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, z. Erzen Breçani, pasi ndaj tij ka filluar ecuria disiplinore”.

Kjo masë vjen vetëm pas presionit mediatik dhe atij të opinionit publik, pasi Policia e Shtetit në fillim heshti, për ngjarjen e rëndë, dhe më pas reagoi duke thënë se nuk do të merrte masa, pasi nuk ishte ushtruar dhunë ndaj kameramanit të Top Channel.

Por presioni dhe protesta e lajmëruar për nesër, para Kryeministrisë, duket se detyroi qeverinë të marrë këtë vendim, një mënyrë për të shuar protestën dhe ulur presionin në këtë prag-fushate delikate për qeverinë.

Një ditë më parë, Top Channel iu drejtua, me anë të një letre, ministrit të Brendshëm, Flamur Noka, dhe për dijeni kryeministrit Sali Berisha, ku shprehu protestën për ngjarjen e rëndë dhe dhunimin e operatorit nga zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Qarkut Tiranë, Erzen Breçani, për më tepër brenda në ambientet e Komisariatit numër 1.

Protestë kundër dhunës së policisë

Erzen Breçani është autori i dhunës së ushtruar ndaj
operatorit të Top Channel në ambientet e komisariatit numër 1 në
kryeqytet pas përfundimit të ndeshjes Tirana-Skënderbeu.

Por në përgjigje të këtij rasti të pastër të abuzimit me detyrën dhe pushtetin, gazetarë, operatorë dhe punonjës të medias kanë lajmëruar organizimin e një proteste në orën 12:00 në krah të kryeministrisë, përmes së cilës do të kërkohet marrja e masës urgjente dhe vënien e oficerit përpara përgjegjësisë për këtë akt të rëndë.

Pozicioni i Policisë së Tiranës ka qenë më shumë se i turpshëm duke mohuar cdo përgjegjësi e duke justifikuar dhunën, që dje ra mbi operatorin e Top Channel, por kushdo nesër mund të jete pre e arrogancës dhe abuzimit, jo thjesht një gazetar, por cdo qytetar i thjeshtë i këtij vendi që shpreson të shohë tek uniformat blu mbrojtësit e sigurisë dhe jo abuzuesit dhe dhunuesit.

“Nesër do të dalim në protestë për dinjitetin e cdo shqiptari për shkak se Policia e Shtetit dhe vecanërisht një polic me emrin Erzen Breçani ka keqtrajtuar një grup qytetarësh mes të cilëve ishte edhe operatori i Top Channel që ndodhej në vendngjarje për të bërë detyrën e vet. Mediat shqiptare kanë për detyrë që të dëshmojnë ngjarjet dhe në këtë rast operatorët janë ata që kanë detyrën më të vështirë sepse duhet të jenë aty, të pranishëm në vendngjarje dhe të ekspozuar gjithmonë ndaj keqbërjeve, dhe rrjedhimisht kur ekziston një kameraman, ekziston edhe përgjegjësia e shtetit dhe aktualisht një kameraman në vendngjarje është keqtrajtuar sepse po bëntë detyrën. Për këtë ne nesër do të dalim në protestë. Policia e Shtetit dhe asgjë nuk do të na ndalojë ne të themi të vërtetën”, deklaroi gazetari Gjergj Erebara.

Policia e Shtetit ka refuzuar gjatë ditës së martë dhënien e lejes për protestën e së mërkurës, por sipas ligjit për tubimet për këtë organizim mjafton njoftimi i strukturave të saj.

Ngjarja e rëndë me abuzimin dhe dhunimin e një kameramani në krye të detyrës mund të ketë hasur në indiferentizimin e drejtuesve të policisë, por duke qenë se kjo protestë shkon përtej solidaritetit me një koleg të tyre, njerëzit e medias i kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve që ta përkrahin atë në mënyrë që përgjegjësit e akteve të tilla të dhunës të përgjigjen për abuzimin, por gjithashtu të ndalet abuzimi i personave me pushtet apo uniformë ndaj kujtdo qytetari të Republikës së Shqipërisë.

Top Channel