Gjatë konferencës për shtyp të mesditës në Bruksel, zëdhënësja e
Përfaqësueses së Lartë lexoi deklaratën e një nate më parë, në përgjigje
të pyetjeve të gazetarëve mbi fatin e dialogut Kosovë-Serbi, pas
refuzimit nga Beogradi. Pikërisht këtij të fundit iu drejtua më qartë
zëdhënësja e Catherine Ashton, në deklaratën e të martës.

“Unë theksova deklaratën që Përfaqësuesja e lartë ka bërë pikërisht për të siguruar që të kuptohet mirë çfarë thuhet në deklaratë. Në këtë deklaratë Përfaqësuesja e Lartë i bën thirrje qeverisë serbe të bëjë një përpjekje të fundit për të arritur një marrëveshje. Mendoj se kjo është shumë e qartë dhe ky është mesazhi që ne i dërgojmë Beogradit”, thotë Maja Kocijancic, zëdhënëse e Catherine Ashton.

Përveç përsëritjes së kësaj thirrje dhe se të gjithë elementët për arritjen e një marrëveshjeje mbi veriun e Kosovës janë mbi tryezë, Kocijancic nuk dha asnjë detaj mbi ndonjë lëvizje apo ndonjë takim tjetër të mundshëm së afërmi me palët. Kur dihet se Prishtina i ka pranuar propozimet e ndërmjetësueses Ashton, Beogradit i ka mbetur pak kohë në dispozicion për “përpjekjen e fundit”, deri më 16 prill, kur Komisioni i dorëzon vendeve anëtare raportet e pranverës, e më pas deri më 22 prill, kur Përfaqësuesja e Lartë do të raportojë para ministrave të jashtëm të BE-së për rezultatet e dialogut Kosovë-Serbi.

Pergatiti ERNEST BUNGURI

Top Channel