
100 minatorët e minierës së Bulqizës që punojnë në zonën D dhe 250 metalurgë të uzinës së Ferro-kromit në Burrel dhe Elbasan me ish-punëdhënës ACR, sot Balfin Group, sot po punojnë në mënyrë të pasiguruar dhe punëdhënësit e tyre nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për jetën e punëtorëve pasi nuk kanë firmosur akoma kontratat kolektive me ta.
Kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Kol Nikolla i ka kërkuar përmes një shkrese zyrtare Ministrit të Punës Spiro Ksera që të ndërhyjë për të zgjidhur situatën e krijuar që bie ndesh me Kodin e Punës dhe ligjin e sigurisë dhe shëndetit në punë.
“Ne kemi përfunduar kontratën me minierën e Bulqizës, por kemi ndesh probleme me metalurgjinë, me dy uzinat e ferro-kromit në Elbasan dhe Burrel si me zonën D në Bulqizë që është me nënkontraktim nga një firmë shqiptaro-turke. Ne kemi ndërmarrë hapat e duhura ligjore, kemi kontaktuar me punëdhënësit që na janë shmangur dhe anashkaluar me arsye jo objektive për rrethanat e punës. Jemi informuar se inspektoriati i punës ka shkuar në Bulqizë ku ka kontaktuar drejtuesit e sindikatës sonë dhe me punëdhënësit dhe ka lënë disa detyra”, thotë zoti Nikolli.
Minatorët paralajmërojnë se nëse Ministria e Punës nuk ndërhyn për të zgjidhur këtë cështje do të ndërmarrin hapa ekstreme proteste, sic është greva e urisë.
Top Channel