Drogba: I lumtur që luaj në Champions

08/04/2013 00:00

Didier Drogba ka folur për rikthimin e tij në Ligën e Kampioneve në një intervistë për uefa.com. Sulmuesi i Gallatasaraj u shpreh i lumtur që e dëgjon sërish himnin e Champions pas aventurës së shkurtër që kaloi në Kinë.

“Kam një marrëdhënie shumë të veçantë me Champions-in. Është një trofe që e fitova pas shumë vitesh pritjeje me Chelsea dhe tani jam i lumtur që e dëgjoj sërish atë muzikë të mrekullueshme para ndeshjeve”, theksoi futbollisti nga Bregu i Fildishtë.

“Ndodhem në një klub të veçantë që ka ambicie dhe projekte të mëdha. Objektivi i Gallatasarajit është fitorja e Ligës së Kampioneve një ditë. Unë dua të jem pjesë e kësaj aventure dhe jam i emocionuar. Kam të njëjtin pasion si atëherë kur luaja me Marsejën”, shtoi Drogba, i cili sezonin e kaluar u bë heroi i Chelsea duke shënuar golin e barazimit dhe penalltinë e fundit të finales së Champions ndaj Bayern Munchen.

Këtë sezon duket e pamundur që Drogba të përsërisë suksesin në kompeticionin më të madh europian pasi Gallatasaraj duhet të përmbysë rezultatin 3-0 të çerekfinales ndaj Real Madrid që të kalojë më tej.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta