Kryendeshja e javës së 21-të të Superiores, mes Tiranës dhe Skënderbeut, do të mbahet mend jo dhe aq për rezultatin e saj, por për dhunën e paprecedentë të policisë në stadium dhe jashtë saj.
Prè e kësaj dhune është bërë edhe operatori i Top Channel, që ka qenë duke dokumentuar ngjarjen. Ai është penguar të filmojë, është shoqëruar në komisariatin numër 1 dhe është goditur brenda ambjenteve të tij nga drejtues të lartë të policisë.
Dhuna zinxhir e forcave të rendit ka prishur jo vetëm një ndeshje futbolli, që presupozohet të jetë një ngjarje argëtuese, por shtrirja e saj edhe mbi gazetarët ka sjellë në vëmendje ditët më të errëta të policisë, ato të shumë viteve mëe parë.
Incidentet mes tifozëve dhe forcave të rendit kanë nisur gjatë pushimit të ndeshjes, kur policia ka ndërhyrë me forcë dhe ka dhunuar tifozët e Tiranës. Përveç se i ka goditur brenda në shkallët e stadiumit dhe jashtë tij, policia ka shoqëruar për në komisariatin numër 1 edhe një pjesë të tifozëve të Tiranës.
Por, ndërsa tifozët e Tiranës ndodheshin në ambjentet e komisariatit, dhe pjesa tjetër protestonte për arrestimin e tyre, policia ka shoqëruar brenda ambjenteve të komisariatit numër 1 edhe operatorin e Top Channel, i cili ndodhej jashtë godinës në pritje të daljes së tifozëve të Tiranës.
Sikur të mos mjaftonte vetëm pengimi për të kryer detyrën dhe shoqërimi pas asnjë shkak, operatori është goditur sipas dëshmise së gazetarit në komisariat nga zv-Drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Brecani. Operatori është lënë i lirë vetëm pasi ka firmosur një deklaratë, ku dhuna e ushtruar nuk figuron në përmbajtjen e tekstit të saj, por shenjat e dhunës janë më se evidente në fytyrën dhe syrin e tij.
…
Tirana mundi 1-0 Skënderbeun, kampionin në fuqi dhe pretendenti kryesor
për fitimin edhe të trofeut të këtij viti, ndërkohë që në pjesën e dytë
bardheblutë humbën mbështetjen e një pjesë të madhe të tifozerisë së
vet, e cila në shenjë proteste ndaj dhunës së ushtruar nga Policia e
Tiranës braktisi stadiumin.
Madje ata kanë kërkuar që, edhe skuadra
bardheblu t’i bashkohet atyre dhe të abandonojë fushën, por ata janë
qetësuar falë diskutimit me lojtarët e Tiranës.
Në pritje të daljes së
tifozëve të Tiranës nga komisariati
nr 1 i kryeqytetit, forcat e policisë kanë shoqëruar për në ambjentet e
brendshme edhe kameranin e Top Channel, i cili është dhunuar nga
zv-drejtori i Policisë
së Tiranës, Erzen Brecani. Pasi e ka detyruar të dëshmojë se nuk ka
pësuar
asgjë brenda komisariatit, policia e ka lënë të lirë kameramanin e Top
Channel.
Vendimtar në fitoren e Tiranës ishte kapiteni Gilman Lika, i
cili, me lehtësinë që ekzekutohet një 11-metërsh, shndërroi në gol një
goditje dënimi, në minutën e 64. Kjo fitore i mban të gjalla shpresat e
Tiranës për vendin e dytë, ndërkohë që humbja në “Qemal Stafa” nuk i
rrezikon aspak vendin e parë në klasifikim korçarëve, pasi diferenca mes
tyre dhe vendit të dytë është 10 pikë.
E ka nisur me humbje, madje të
thellë, Arjan Bellai, aventurën si trajner i Luftëtarit. Gjirokastritët u
mundën 3-0 nga Flamurtari. Golat për skuadrën vlonjate u shënuan nga
Memelli dhe Pepa. Me dopietën e shënuar të dielën, 32-vjeçari Memelli e
çon në 18 numrin e golave të shënuar gjatë këtij sezoni, duke mbajtur
dhe vendin e parë në klasifikimin e golashënuesve.
Teuta dhe Kukësi kanë
ndarë nga 1 pikë pas barazimit 1-1 në Durrës, një rezultat që nuk
ndryshon asgjë në klasifikim, përsa i përket këtyre dy skuadrave.
Kuksianët shënuan të parët me Malotën, ndërsa durrsakët barazuan në fund
me Jakupin.
Në ndeshjet e tjera të kësaj fundjavë, Shkumbini mundi 1-0 Vllazninë, ndërsa Laçi mundi 3-1 Bylisin.
Top Channel