Ndërmjetësja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, baronesha Cathrine Ashton vazhdon të jetë në pritje të përgjigjeve nga Prishtina dhe Beogradi në lidhje me propozimin e shtruar në takimin e 2 prillit.

Zëdhënësja e Ashton, Maja Kocijançiç, e cituar nga “RTK”, tha të premten se vendimi i palëve, nëse janë të gatshme për marrëveshje, pritet brenda disa ditëve.

“Konsultimet po vazhdojnë dhe priten përgjigjet nga të dy kryeministrat. Elementët e marrëveshjes janë të njohur për të dyja palët, pasi janë pikërisht ato për të cilat është debatuar në raundin e fundit të dialogut, të martën e kaluar. Prandaj dhe nuk ka plane për ndonjë raund të ri dialogu”, deklaroi Koçijançiç.

Ajo çfarë po e mban peng marrëveshjen janë kompetencat në gjyqësor e polici për asociacionin serb në të cilat po kembengul Beogradi zyrtar.

Davenport: Marrëveshja, shumë pranë

Marrëveshja për asociacionin e komunave serbe në Kosovë është fare pranë dhe në se arrihet kjo, ky do të jetë një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës.

Kështu ka deklaruar ambasadori britanik në Serbi, Michael Davenport, i cili i është referuar deklaratave të personave që janë të përfshirë në mënyrë direkte në negociata.

Në një intervistë për gazetën ”Danas”, Davenport ka theksuar se për marrëveshjen nevojitet kompromis nga të dyja palët, nga të cilat në këtë moment varet gjithçka.

“Kjo në praktikë do të nënkuptonte vazhdimin e angazhimit për përmbushjen e kritereve të cilat Këshilli Evropian ka përmendur në përfundimet e dhjetorit të vitit të kaluar”, ka thënë diplomati britanik.

I pyetur nëse Serbia do të marrë ose jo datën për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në rast dështimi, Davenport ka thënë se, përfundimet e Këshillit Evropian që duhet të përmbushë Serbia janë ende aktuale. 

Qëndrimet e Prishtinës dhe Beogradit

Më shumë Brukseli i druhet qëndrimit të Beogradit, i cili ndihet sikur
është vënë përpara një kushti, ose negociatat e anëtarësimit në BE, ose
Kosovën.

Presidenti Tomisllav Nikoliç, kryeministri Ivica Daçiç dhe zëvendësi i
tij Aleksandar Vuçiç kanë zhvilluar në ditët e fundit konsultime, të
cilat pritet të vijojnë edhe gjatë fundjavës.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi të premten
se nga dështimi eventual i arritjes së marrëveshjes do të humbin të
dyja palët, si Serbia ashtu dhe Kosova.

“Në rast se Kosova dhe Serbia dështojnë të arrijnë marrëveshje për
veriun, asnjëra palë nuk do të jetë fituese”, deklaroi Thaçi në
mbledhjen e qeverisë.

Shefi i ezkekutivit kosovar paralajmëroi sërish nxjerrjen e një vendimi
të vështirë nga ky proçes, pa sqaruar se për çfarë vendimi konkretisht
bëhet fjalë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA