Në rast se Kosova dhe Serbia dështojnë të arrijnë marrëveshje për veriun, asnjëra palë nuk do të jetë fituese. Kështu deklaroi kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, duke e parë marrëveshjen si shumë të rëndësishme për arritjen e paqes në rajon.
Në mbledhjen e qeverisë shefi i ezkekutivit kosovar paralajmëroi sërish nxjerrjen e një vendimi të vështirë nga ky proçes, pa sqaruar se për çfarë vendimi konkretisht bëhet fjalë.
Ky vendim sipas Thaçit, do të jetë për të mirën e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Njëkohësisht, ai shtoi se krijimi i asociacionit të komunave serbe do të jetë në harmoni me ligjet, Kushtetuten e Kosovës dhe standardet europiane.
“Vendimet që do të merren ditët e ardhshme nuk do të jenë të lehta për asnjë lider dhe asnjë institucion. Por, dua të shpresoj se do të lëvizim drejt një vendimmarrjeje që i hap perspektivë qytetarëve tanë, pa dallim etnik. Një vendimi që do të ndryshojë jetën e njerëzve për mirë”, deklaroi Thaçi.
Këto komente kryeministri i bëri disa ditë para se palët t’i dërgojnë Brukselit zgjidhjet për të cilat nuk ranë dakord në raundin e tetë të bisedimeve më dy prill.
Ajo çfarë po e mban peng marrëveshjen janë kompetencat në gjyqësor e polici për asociacionin serb në të cilat po kembengul Beogradi zyrtar.
“Sistemi i drejtësisë do të jetë unik. Kosova do të ketë një sistem policor dhe një zinxhir komandues, si dhe do të ndodhë shpërbërja e plotë e të gjitha strukturave ilegale të Serbisë”, nënvizoi Thaçi.
Arritja e marrëveshjes me Beogradin pritet t’i hapë rrugë mbajtjes së zgjedhjeve në komunat verirore, zgjedhjen e kryetarëve legjitimë, të cilët pastaj do të gëzojnë të drejtën e krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Top Channel