Ministrat e rinj Halim Kosova, Visar Zhiti dhe Aldo Bumçi nisën të premten detyrën në një ceremoni që u zhvilluan larg kamerave.
Rreth orës 11.00, dr. Halim Kosova mbërriti në Ministrinë e Shëndetësisë, ku u prezantua zyrtarisht para stafit të këtij dikasteri nga zv.kryeminitri i ri Myqerem Tafaj.
Por protokollli kishte parashikuar që ky prezantim të mos bëhej në prani të mediave. Ish-ministri Tavo qëndroi në ministri deri në përfundim të ceremonisë zyrtare të prezantimit e më pas u largua.
Ai u përcoll nga pasuesi i tij Halim Kosova dhe stafi me të cilin punoi për një periudhë 9-mujore në krye të Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërkohë, Bumçi mori sot edhe urimet e para nga homologët për këtë detyrë të re në qeverinë Berisha.
Një ditë më parë në Presidencë u zhvillua ceremonia e betimit të ministrave të rinj të kabinetit qeveritar, të cilët plotësojnë postet e lëna bosh nga vendimi i LSI-së për të lënë qeverinë e për t’iu bashkuar koalicionit opozitar në zgjedhjet e 23 qershorit.
Florion Mima, Halim Kosova dhe Visar Zhiti u betuan për herë të parë para presidentit të Republikës, Bujar Nishani, duke marrë zyrtarisht detyrat, përkatësisht në postin e Ministrisë së Ekonomisë, Shëndetësisë dhe asaj të Kulturës.
Ndërsa Myqerem Tafaj, ministër i Arsimit, u betua si zv.kryeministër, vend që deri pasditen e së mërkurës mbahej nga Edmond Haxhinasto. Aldo Bumçi la postin e ministrit të Kulturës për të marrë atë të Ministrit të Jashtëm, i lënë bosh nga largimi i Edmond Panaritit.
Ministrat e Rinj u votuan me 72 vota pro në seancën e së enjtes në Kuvend, ku votave të mazhorancës iu bashkuan edhe dy deputetët e larguar së fundmi nga Partia Socialiste, vota e deputetit të qarkut të Lezhës, Gjovalin Kadeli dhe ajo e deputetit të qarkut të Kukësit, Asllan Dogjani. LSI abstenoi në votim, ndërsa Vangjel Dule i PBDNJ-së votoi kundër dekreteve të Presidentit të Republikës.
Top Channel