Bullgaria nisi një fushatë tre-ditoresh lutje, të kërkuara nga presidenti i  vendit, pasi kriza ekonomike dhe pesimizmi kombëtar kanë nxitur një fushatë vetvrasjesh në javët e fundit.

Lutjet e udhëhequra nga Kisha Ortodokse e Bullgarisë u motivuan nga zjarrvënia e shtatë personave njëkohësisht, në një protestë kundër varfërisë dhe korrupsionit.

Pesë prej tyre humbën jetën, ndërsa dy të tjerë po trajtohen në spital për djegie të shkallës së tretë, në më shumë se 50% të trupit.

Së bashku me klerikët ortodoksë, feja mbizotëruese në vend, edhe drejtuesit e besimeve të tjera i janë bashkuar kësaj nisme.

E goditur rëndë nga kriza, Bullgaria ka përjetuar mesatarisht rreth 6-7 vetvrasje në ditë gjatë 2013-s, me vetvrasjen që është shndërruar në një prej tre arsyeve kryesore të vdekshmërisë në vend, së bashku me aksidentet e sëmundjet kardiovaskulare.

Nga janari deri në mars, mbi 200 bullgarë, sipas të dhënave zyrtare të kritikuara për minimizim, vendosën t’i jepnin fund jetës.

Protestat e mëparshme kundër varfërisë, shtrenjtimit të kostos së jetesës dhe korrupsionit, shkaktuan rrëzimin e qeverisë në vendin më të varfër të Bashkimit Europian, duke detyruar zgjedhje të parakohshme në muajt e verës.

Në një takim me drejtuesit e komuniteteve ortodokse bullgare, ortodokse armene, katolike, muslimane dhe judaiste, presidenti Rosen Plevneliev lëshoi një lutje ndaj bashkëkombasve, për të përballuar me më shumë dinjitet këtë “periudhë të vështirë”, me shpresë, besim tek e ardhmja dhe dëshirë për të jetuar.

”Le të lutemi së bashku për fundin e vetvrasjeve dhe për kalimin e kësaj krize me durim dhe dinjitet”, apeloi Plevneliev.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA