Bashkëpunimi Durrës-Selanik

05/04/2013 00:00

Flamuri shqiptar që valëvitej në hyrje të bashkisë së Selanikut ka qenë shenja e parë simbolike e mikpritjes që i është bërë kryetarit të bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako nga kryebashkiaku i Selanikut, Janis Butaris.

Vizita përkon fiks një vit nga ajo e Butaris në qytetin e dytë më të madh të Shqipërisë për nënshkrimin e marrëveshjes së binjakëzimit të dy qyteteve-porte më të lashta të Ballkanit.

Takimi i radhës i ka shërbyer shkëmbimit të eksperiencave në fushën e turizmit, urbanistikës, qarkullimit të automjeteve, transportit detar dhe kulturës së riciklimit dhe dashamirësisë ndaj ambientit.

“Folëm për shkëmbimet turistike, për aktivitete të përbashkëta kulturore brenda këtij viti, por kryesisht edhe për 2014-ën, kur Selaniku do të jetë kryeqyteti europian i të rinjve”, deklaroi kryebashkiaku Butaris.

“Qëllimi i këtij takimi ishte njohja më e mirë e problematikave të dy qyteteve, por edhe eksperienca që ne mund të marrim nga bashkia e Selanikut, një qytet më i madh se Durrësi”, deklaroi nga ana tjetër Vangjush Dako.

Me interes është biseduar se si mund të përfitojnë dy qytetet, programet europiane për zhvillimin ekonomik të tyre, ndërsa është theksuar edhe njëherë roli i rreth 70.000 emigrantëve shqiptarë në Selanik, që përbëjnë urat lidhëse në forcimin e miqësisë midis dy vendeve.

Më pas kryebashkiaku i Durrësit, që shoqërohej nga disa prej këshilltarëve të bashkisë, ka vizituar portin e Selanikut dhe është njohur nga afër me shumë çështje praktike të funksionimit të tij nga presidenti i këtij porti, i cili ka shpjeguar me detaje se si duhet të rriten dhe të përmirësohen shërbimet portuale, si në sektorin e tregtisë dhe transportit të mallrave, ashtu edhe në atë të transportit të udhëtarëve.

Stacioni i fundit i vizitës së zotit Dako ka qenë edhe takimi me ministrin e Rajonit të Maqedonisë dhe Trakes, me temë kryesore zhvillimin ekonomik të dy vendeve, por dhe të problemeve të emigrantëve shqiptarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA