
Ndërmjetësuesja e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve
Kosovë-Serbi, Catherine Ashton do të njoftohet përfundimisht deri më
datën 9 prill për vendimet.
Kështu thuhet në një njoftim të zyrës së presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila të enjten ka pritur kryeministrin Hashim Thaçi dhe koordinatorin e proçesit të dialogut, Blerim Shala, për t’u informuar për takimin e tetë në Bruksel ku nuk u arrit marrëveshje.
Jahjaga është njoftuar, siç thuhet në njoftim, se: “Palët nuk arritën t’i harmonizojnë të gjitha qëndrimet dhe u kërkua kohë shtesë për të marrë vendim të përgjegjshëm. Baronesha Ashton do të njoftohet përfundimisht deri më datën 9 prill për vendimet. Në ditët në vijim, diplomacia evropiane dhe amerikane do të bëjnë përpjekje për t’i bindur palët që marrëveshja të arrihet dhe që të garantohet zbatimi i saj”.
Presidentja Jahjaga i ka dhënë mbështetje të plotë qëndrimit të kryeministrit, ndërsa ka thënë se zgjidhjet e ofruara jo vetëm që janë në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, por njëherësh janë edhe zgjidhje europiane në dobi të të gjithë qytetarëve dhe në krijimin e kushteve për rend dhe sundim të ligjit.
Thaçi: Jemi në fazat finale të vendimmarrjes
Ndërkohë, gjatë së enjtes kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë të ditur para mediave se tashmë është proçesi final i vendimmarrjes dhe hapjes së temave të ndjeshme që nuk janë fare populiste për lidershipin, as në Kosovë e ndoshta as në Serbi.
“Kemi ardhur në një fazë tanimë të rëndësishme, në një fazë vendimtare. Mund të them lirisht edhe në proçesin final të vendimmarrjes dhe hapjes së temave të ndjeshme, që nuk janë fare populiste për lidershipin as në Kosovë, e ndoshta as për atë në Serbi, por që janë në interesin e paqes dhe të stabilitetit, në interesin e Kosovës, perspektivës së Serbisë dhe të gjithë”, deklaroi Thaçi.
Sa u përket zërave për ndonjë status të veçantë për veriun e Kosovës, kryeministri Thaçi ka thënë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë, duke shtuar se këtë për çdo ditë po e kupton edhe Beogradi zyrtar.
“Çdo ditë e më tepër po e shoh që edhe Beogradi është i vetëdijshëm se diçka e tillë nuk mund të realizohet, as formimi i ndonjë Republika Srbska, as formimi i ndonjë rrethane për status të veçantë”, theksoi kryeministri.
Ndërkohë, raportohet se drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin ka hyrë të premten në veri të Kosovës nga pika kufitare në Jarinjë. Siç raportohet qëllimi i ardhjes së tij është diskutimi i disa pikave të ndjeshme të marrëveshjes me krerët ilegalë të komunave në veri të Kosovës.
Top Channel