
Dy gola nga Rodrigo Palacio i mjaftuan Interit për të arritur një fitore të pastër në fushën e Sampdorias, në një ndeshje të prapambetur të kampionatit italian.
Njëkohësisht, tripikëshi mban gjallë shpresën e skuadrës zikaltër për një kualifikim, ndonëse të vështirë, në edicionin e ardhshëm të Champions League.
Sampdoria, ndonëse me një pozicion komod në renditje përsa i përket luftës së mbijetesës, zbriti në fushë e vendosur për të mos dalë pa pikë dhe rrezikoi disa herë, nëpërmjet kapitenit Palombo, sulmuesit të premtuar Interit sezonin e ardhshëm, Icardi, dy herë me gjuajtjet e rrezikshme të Obiang dhe me Maxi Lopez.
Megjithatë, Interi diti t’i rezistonte presionit dhe të tregohej efikas në aksionet e tij. Në të 43’, argjentinasi Palacio, i shërbyer nga një kros i Pereirës, arriti që mes qendërmbrojtësve të Sampit të shkëputej me kokë në kohën e duhur, duke konvertuar në gol.
Përsëri “in extremis”, ishte Palacio ai që “vulosi” fatet e takimit, me një tjetër gol në fund të pjesës, këtë herë në të 90’. Këtë herë, Palacio konkretizoi bukur një aksion të shkëlqyer të skuadrës, nisur nga një kundërsulm.
Me këtë fitore, Interi ngjitet në kuotën e 50 pikëve, duke lënë pas Romën dhe Lazion, ndërsa ngushton diferencën me Milanin e vendit të tretë në shtatë pikë.
Top Channel