
Sot në mbrëmje do të luhen dy ndeshjet e tjera çerekfinale, ku më e përfoluar mbetet ajo e 9 herë fituesve të Champions League, Realit të Madridit.
Spanjollët do të luajnë në “Santiago Bernabeu” përballë skuadrës turke të Gallatasarajit. Cështja më e diskutuar në këtë sfidë është lënia jashtë e portierit të Spanjës dhe të Realit, Iker Kasijas, nga Zhoze Mourinjo.
“Ai po stërvitet mire dhe duhet të presë shansin e tij”, ka thënë portugezi kur është pyuetur për lënien jashtë të portierit të parë dhe zëvendësimin e tij me Diego Lopez.
Ndërkohë, rreth kundërshtarëve turq të udhëhequr nga Fatih Terim shton: “Gallatasarai është një skuadër shumë e mirë dhe ka lojtarë që unë i kam njohur që nga koha kur drejtoja skuadra në Itali dhe Angli. Mbi të gjitha ka një trajner si Terim që unë e vlerësoj shumë se e kam ndjekur nga koha kur drejtonte Milanin dhe Fiorentinën.”
Ndërkohë, vetë trajneri turk nuk e konsideron surprizë një humbje të mundshme përballë madrilenëve: “Dua të them se nuk duhet të kemi frikë nga humbja.”
Ndeshja tjetër e mbrëmjes së sotme është ajo mes Malagës dhe Dortmundit. Skuadra gjermane e udhëhequr nga Jurgen Klop e ka treguar nivelin e saj duke mundur skuadra si Reali i Madridit apo si Manchester Siti me lojën e tyre dinamike. Edhe spanjollët e Pelegrinit janë ndër skuadrat surprizë të këtij sezoni dhe kanë treguar se në fushën e tyre janë thuajse të pakalueshëm.
Gjithsesi, loja e të dyja skuadrave premton për një përballje interesante dhe spektakolare. Si gjithmonë edhe këto ndeshje të mbrëmjes së sotme, të vlefshme për fazën çerekfinale të Champions League, do të keni mundësi t’i ndiqni drejtpërdrejtë në paketën Supersport të platformës Digitalb.
Top Channel