Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton ka hequr dorë nga takimet formale të nivelit të lartë në dialogun Kosovë-Serbi, duke ia lënë Prishtinës dhe Beogradit të marrin një vendim mbi propozimet e saj.

Zëdhënësja e Ashton, Maja Koçijançiç kujtoi progresin e arritur në gjashtë muaj dialog, duke përsëritur se hendeku mes palëve është i ngushtë, por i thellë.

“Të dyja palët janë kthyer në vendet e tyre për konsultime dhe Përfaqësuesja e Lartë pret vendimet e tyre në ditët që vijnë. Ju e dini se çfarë parashikojnë përfundimet e Këshillit për detyrën e Përfaqësueses së Lartë dhe ajo do t’i raportojë Këshillit këtë muaj mbi rezultatet e këtij dialogu deri në atë moment”, deklaroi Koçijançiç.

Mospajtimi i palëve mbi kompetencat dhe funksionimin e bashkësisë së komunave serbe dhe dështimi në tërësi i dialogut, ndër të tjera, do të frenonte integrimin evropian të dy vendeve. Sipas Koçijançiç, elementët për zgjidhje ekzistojnë, por kjo do të varet nga vendimet e palëve.

“Unë nuk mund të spekulloj se çfarë do të ndodhë. Ne duhet t’i japim dy palëve një shans për t’u konsultuar, për të diskutuar dhe vetëm pastaj do të shohim se si do të veprojmë”, saktësoi zëdhënësja.

Para raportit të pranverës për ecurinë e Kosovës dhe të Serbisë që po harton Komisoni Evropian dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Prishtina dhe Beogradi kanë pak ditë kohë në dispozicion për të arritur një marrëveshje që do të kënaqte të dyja palët.

Top Channel