
Stefano Domenicali, shefi i skuderisë Ferrari, ka njoftuar se makina F138 do të ketë disa të reja që do e përmirësojnë rendimentin e saj në kuadër të Cmimit të Madh të Kinës.
Në faqen zyrtare të Kokëkuqes, Domenicali sqaron: “Cirkuiti i Shangait është ndryshe nga të tjerët. Për këtë arsye do të zhvillojmë njëvendëshen tonë dhe shpresojmë që paketën me të reja ta shfrytëzojmë sa më shumë të jetë e mundur.”
Megjithatë, më shumë se sa evolimi i makinës, kryesore do të jenë gomat
Pirelli. “Duhet të kuptojmë që rendimenti i vërtetë i makinës është
thelbësor për të hedhur hapa të tjerë përpara. Megjithatë, njëkohësisht
është e rëndësishme që të kuptojmë edhe sjelljen e gomave, kjo do të
jetë çështja e vitit”, shtoi shefi i Ferrarit.
Në fjalën e tij, Domenicali refuzoi që të komentonte zhvillimet në
skuadrat e tjera, si polemikat brenda Red Bullit, pas parakalimit të
paautorizuar që Vettel kreu ndaj Webber në Malajzi.
”Nuk dua të flas për të tjerët. Ne jemi të përqendruar vetëm në punën
tonë. Nëse të tjerët gabojnë, duhet të jemi atje për të përfituar, por
kjo është një çështje tjetër”, përfundoi drejtori i përgjithshëm i
Ferrarit.
Top Channel