
”“Pirelli” ende nuk ka vendosur nëse do të ndryshojë gomat në këtë sezon të Formulës 1, por gjithsesi, furnizuesi i vetëm i gomave për njëvëndëshet, nuk do të ketë parasysh dëshirat specifike të një skuadre të vetme në konsiderimin e tij”, paralajmëroi të martën drejtori i përgjithshëm i sektorit sportiv të “Pirelli”-t, Paul Hembery.
Në dy garat e para, degradimi i shpejtë i gomave, detyroi në përdorimin e strategjive me tre dhe katër ndalesa.
Një ndryshim i tillë drastik i strategjive, krahasuar me sezonet e mëparshme, nuk është mirëpritur nga disa skuadra, me Red Bullin dhe Mercedesin që kanë qenë më kritikuesit.
”Nëse të gjithë skuadrat kërkojnë diçka të ndryshme, atëherë do të detyrohemi të bëjmë diçka për të ndryshuar gjërat, por fakti se disa ekipe ndihen të izoluar, nuk do të thotë që ne do të punojmë për të ndryshuar këtë. Në fund të fundit, të gjithë makinat kanë të njëjtat goma, prandaj nuk ka të avantazhuar apo jo prej “Pirelli””-t, shtoi drejtori i përgjithshëm.
Në çdo rast, nëse do të ketë ndryshime tek gomat, ato do të vijnë në rikthimin e garave në Europë. “Është ende herët për të bërë ndryshime. Megjithatë, do të rivlerësojmë qëndrimin tonë pas garës së katërt, asaj të Bahreinit”.
Top Channel