
Një në 100 fëmijë është autik. Statistikat botërore tregojnë se autizmi konsiderohet gati epidemi.
Shenjat dhe simptomat e para të autizmit shfaqen brenda moshës 3 vjeç. Ky është një çrregullim i cili e shoqëron individin gjatë gjithë jetës.
Njerëzit me autizëm janë të prekur nga ky çrregullim në shkallë të ndryshme. Asnjë individ me autizëm nuk i ngjan tjetrit!
Crregullime të përhershme që nuk dihen se nga çfarë shkaktohen, i bëjnë personat autikë të mos jenë në gjendje të krijojnë marrëdhënie shoqërore, të komunikojnë dhe të kenë interesa.
Edhe gjendja e tyre fizike preket gjithashtu. Studimet tregojnë se ata që vuajnë nga ky çrregullim kanë probleme me gjumin dhe të ushqyerit.
Diagnostikimi i autizmit në moshë të hershme është moment kyç. Sot, autizmi mund të diagnostikohet që në fund të vitit të parë të jetës së fëmijës.
Diagnostikimi i hershëm bën që fëmija të trajtohet më herët me terapi dhe është provuar vlera e terapisë në moshë të vogël.
Nuk janë zbuluar ende shkaqet që shkaktojnë autizmin.
Por, a mund të themi që ka një rritje të numrit të rasteve me këtë çrregullim apo shifrat që raportohen sot në nivel botëror i atribuohen sofistikimit të shkallës së diagnostikimit si dhe ndërgjegjësimit më të madh të prindërve dhe popullatës në përgjithësi mbi shenjat dhe simptomat e autizmit?
Gjenitë autikë
“The boy ëho could fly” ishte filmi që solli në kinematografi për herë të parë një personazh me çrregullimin autik në vitin 1986. Personazhi kryesor ishte një djalë i cili ëndërronte të fluturonte dhe prekte çdokënd që takonte.
Dy vite më vonë u shfaq në ekranin e madh filmi “Rainman”, i cili për herë të parë përshkroi një të rritur me çrregullim atutik. Ndonëse në mënyrë poetike, shihet aftësia e jashtëzakonshme e personazhit për të memorizuar sekuencën e letrave, gjë që e bën një mjeshtër të lojës së bixhozit. Ai fiton jashtëzakonisht, por nuk është i ndërgjegjshëm për këtë.
Ishin të shumta prodhimet kinematografike që do të pasonin ku personazhe kryesore kishin individë me çrregullim autik, por që shfaqnin gjenialitet në një fushë të caktuar. Madje në publik u krijua një përshtypje e përgjithshme se këta persona kanë një potencial shumë të madh në një fushë, duhet vetëm ta zhvillojnë atë.
Shembuj individësh me autizëm të njohur në nivel botëror të cilët me një talent të jashtëzakonshëm në të shkruar kanë shpërfaqur botën e tyre të brendshme, të ndryshme nga ajo e njerëzve me zhvillim tipik.
Temple Grandin – veterinere e profesoreshë në Colorado State University. Shkrimtare best-seller, aktiviste për autizmin, fitoi famë të jashtëzakonshme me projektet e saj që lidhen me kafshët si dhe krijoi një kuti të madhe, një mënyrë për të qetësuar autikët. Ne 2010 ajo u listua në ‘Time’ një ndër 100 personat më me influencë në kategorinë e heronjve.
Raymond Thompson – skenarist, kompozitor dhe producent kanadez. Autor i shumë serialeve në BBC si ‘The House of Eliott’. Me çrregullimin e autizmit e të sindromës Asperger ai ka ditur të jetë krijues. I ndikuar nga kjo sindromë kompozoi në vitin 2001 ‘Spirit Symphony’. Ka qenë shpesh anëtar i jurive prestigjoze dhe është vlerësuar me shumë çmime honorifike madje edhe nga Mbretëresha Elisabet.
Antonio Henderson Davis – I njohur si 50 Tyson, është një reper amerikan autik. Në vitin 2009 ai fitoi popullaritet pasi publikoi disa video të tij në Youtube. U pikas nga Hudson Record’s të cilët nënshkruan një kontratë me të.
Këta janë vetëm disa nga njerëzit gjeni të prekur nga çrregullimi autik, të cilët jo vetëm janë bërë të njohur falë talentit të tyre, por dhe për kontributin e madh për sensibilizimin e nevojave të personave autikë.
Top Channel