
Kolosi i elektronikës, “Apple”, i ka kërkuar falje Kinës për mosmarrëveshjet dhe komunikimin e mangët.
Përmes një letre të publikuar në faqen kineze të kompanisë, administratori Tim Cook ka siguruar se kompania do të rishikojë politikat e saj të shërbimit dhe asistencës ndaj klientit.
Mesazhi vjen pas dy javë sulmesh të ashpra ndaj “Apple” në Kinë dhe synon t’i japë fund reklamimit negativ në atë që është tregu i dytë më i madh i kompanisë së themeluar nga Steve Jobs pas Shteteve të Bashkuara.
Në fakt, nga gjysma e muajit të kaluar, “Apple” është akuzuar në Kinë se ka shkelur periudhat e garancisë, se ka miratuar politika diskriminuese ndaj klientëve kinezë dhe se u ka dhënë përgjigje arrogante ankesave.
Sipas mediave ndërkombëtare, pendimi ka bërë që “Apple” të pësojë një rënie të vlerës së saj në bursë, ku kuotat kanë rënë me 3.11 për qind në 238.91 dollarë.
Gjithashtu, një tjetër element që ka ndikuar në këtë rënie ka qenë zhurma për shitjen e 10 për qind të aksioneve të shoqërisë nga një prej aksionerëve kryesorë të saj, “Fidelity Contrafund”.
Top Channel