Paketa fiskale që Qeveria ka paraqitur në dy muajt e fundit përbën
ndryshimin më të madh në sistemin e taksave, që nga viti 2007 kur u
vendos taksa e sheshtë.

Në dy muajt e fundit, kur vendi po shkon në zgjedhje, Qeveria ka ndërhyrë 5 herë në sistemin tatimor. Ndryshimet nisën fillimisht me heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për makineritë dhe pajisjet e përdorura në investimet mbi 500 mijë dollarë. Paralelisht në të njëjtin draft Qeveria përjashtoi nga TVSH edhe hekurin dhe çimenton për ndërtimin e hidrocentraleve.

Kjo ishte lëvizja e parë që do të pasohej nga të tjera. Vetëm pak ditë më vonë ligj i TVSH-së pësoi një tjetër ndryshim. Atë që e heq këtë taksë edhe për makineritë bujqësore, pavarësisht shifrës së investimit. Sipas Ministrisë së Financave, në total këto dy masa i kushtojnë buxhetit mbi 10 miliardë lekë në vit. Pas çarjes së TVSH-së, Qeveria vendosi të heqë tatimin mbi të ardhurat për pagat deri në 30 mijë lekë.

Sipas relacionit në ligj, nga heqja e këtij tatimi, mbi 200 mijë të punësuar, përfitojnë rreth  2.5 miliardë lekë në vit. Lehtësimi i tretë është sërish në sektorin bujqësor. Këtë herë veç makinerive dhe pajisjeve përmes këtij ligji nga TVSH-ja përjashtohen edhe lëndët e para. Në relacionin e ligjit, Qeveria thotë se efekti në buxhet është 1.3 miliardë lekë. E fundit në radhën e ofertave tatimore të pragzgjedhjeve është përgjysmimi i taksës për automjetet e përdorura.

Një vendim i papritur që ndonëse ende nuk shoqërohet me një draft konkret mund t’i kushtojë buxhetit rreth 2 miliardë lekë të tjera. Vetëm përmes këtyre vendimeve, në tre muajt e fundit, Qeveria ka krijuar në buxhet një gropë që shkon deri tani në rreth 17 miliardë lekë në vit, por që sipas Kryeministrit do të jetë edhe më e madhe, deri në 200 milionë euro, çka ngre jo pak pikëpyetje për qëndrueshmërine e financave të vendit.

Top Channel