“Jemi pranë fundit. Nga mesnata e sotme, Youtube nuk do të pranojë më asnjë video në serverat e saj, për t’u mbyllur për pak kohë në mënyrë që të zgjedhë videon më të bukur të hedhur në faqen tonë në këto tetë vite”.

Ky ishte mesazhi i shpërndarë nga “organizatori i konkurimit” Tim Liston. Liston shpjegon se në vitin e tetë të jetës së saj, Youtube ka vendosur të përfundojë konkursin e nisur në vitin 2005. Pikërisht në këtë vit, Youtube nisi aktivitetin e saj online me misionin e tërheqjes së sa më shumë videove për të zgjedhur videon më të bukur.

“Në 2005 hapëm Youtube me synimin dhe objektivin e vetëm për të gjetur videon më të bukur në botë. Atëherë s’e kishim idenë se në serverat tanë do të ngarkoheshin ka shumë video. Por tani është koha të zgjedhim videon fituese. 30 mijë teknikë dhe specialistë kanë nisur punën duke votuar videon më të bukur. Youtube nga orët e para të 1 Prillit e deri në përcaktimin e fituesit do të qendrojë e mbyllur”, thuhet në mesazhin e Youtube.

“Ju këshilloj të shihni sa më shumë video të mundni para se ato të fshihen nga Youtube këtë mesnatë”, deklaroi njëri “nga anëtarët e jurisë vlerësuese”, amerikani, Antoine Dodson.

Por para se të mbyllet mesazhi, në video zbardhet shakaja, ku më shumë se sa mbyllja, lajm përbënte data e përzgjedhur për mbylljen e serverave të faqes së tretë më të klikuar në histori, 1 prilli. Në fakt në mesnatë asgjë nuk ndodhi dhe Youtube funksionoi normalisht, megjithatë shumë persona “u peshkuan” dhe shitën lajmin për të vërtetë në rrjetet e forume në internet.

Shaka për 1 prillin ka bërë edhe Google Reader, në të njëjtën mënyrë si Youtube, (që të dyja pjesë e Google Inc).

Gëzuar 1 Prillin!!!

Top Channel