Conte: Në Mynih me besim

01/04/2013 19:00

Në prag të ballafaqimit të më të rëndësishëm të sezonit, atë me Bajernin e Mynihut në “Allianz Arena”, Antonio Conte përpiqet t’i transmetojë besim të tijëve.

Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes, trajneri i Juventusit përdori qartësisht tre fjalë, sakrificë, respekt dhe besim.

“Në Champions League ne jemi ata që konsiderohen “outsider”, një skuadër jo favorite për fitoren, por nuk kemi mbërritur deri këtu për t’u sakrifikuar mbi altarin e këtij kompeticioni”, deklaroi Conte.

“Të luash në këto nivele është një ëndërr. E dimë që do të luajmë përballë një favoriti të qartë për të fituar titullin, por ne nuk kemi mbërritur deri këtu rastësisht. E meritojmë të jemi mes tetë më të mirëve, prandaj do të luajmë me entuziasëm, besim dhe dëshirë për të bërë një punë të mirë. Do të sjellim në Gjermani idenë tonë të futbollit, edhe sepse vetëm kështu mund të kuptojmë se sa larg jemi klubeve më të forta të Europës”.

Trajneri i Juventusit nuk zbuloi formacionin me të cilin do të luajë, por komentoi mbi gjendjen e Vuçiniç, në dyshim për shkak të një gjendje gripale. “Të dielën nuk u stërvit pasi ishte ende me ethe, por sot ishte në stërvitje. Do të bëjmë vlerësimet tona përpara ndeshjes dhe pa dyshim, do të luajnë më të mirët. Sidoqoftë, loja jonë do të jetë e njëjta, pavarësisht atyre që do të luajnë”, tha Conte.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA